Arbëri

Kastrati: 69 persona në Kamenicë janë identifikuar si kontakte të të infektuarve, grupi i dytë testohet nesër

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka folur për situatën me COVID-19 në këtë komunë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se të gjithë personat e prekur me koronaviurs, janë raste të kontaktit të personit të parë i cili është konfirmuar pozitiv më 30 mars.

Ai thotë se i njëjti ka qenë vozitës në linjën Kosovë-Gjermani.

“Një qytetarë i joni në fshatin Topanicë ka qenë vozitës në linjën Kosovë-Gjermani, të një agjencioni. Ka hy në Kosovë ,më 18 mars, por kanë kaluar 12 ditë dhe nuk ka pasur ndonjë simptomë. Me datë 30 me insistimin e tij i është bërë testi dhe ka rezultuar pozitiv. Ka kaluar një kohë e gjatë që ka pasur kontakt me familje dhe të tjerë. Kemi propozuar një listë më 17 persona që janë testuar dhe nga ta 11 kanë dalë pozitiv me koronavirus”, ka thënë ai

Ai tutje ka shtuar se testimi do të vazhdojë edhe me grupe të tjera.

Kastrati tutje ka thënë se të gjithë të identifikuarit deri tash në Kamenicë nuk janë me ndonjë sëmundje kronike derisa ka shtuar se më i riu është një foshnje 5 muajshe.

Kastrati ka thënë se nga 12 personat e infektuar, tre janë në Klinikën Infektive.

“Personi i parë që është identifikuar është në Klinikën Infektive, personin 72 vjeçar dhe foshnja, të tjerët janë në shtëpi. Tash qytetarët janë më të shqetësuar dhe janë duke na ndihmuar të gjithë për t’i identifikuar personat që ai ka pasur kontakt. Janë duke e respektuar edhe urdhëresën për të qëndruar në shtëpi”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nesër do të bëhet testi edhe i grupit të dytë.

“69 persona janë të identifikuar si kontakte, përparësi kanë stafi mjekësor dhe ata të cilët janë më të moshuar e kanë sëmundje kronike”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Komuna ka obligim që familjet që janë në karantinë t’iu sigurojë ushqim e medikamente.

Ai tutje ka folur për rastin e parë të infektuar me koronavirus në Kamenicë, një video e të cilit ishte bërë virale në rrjetet sociale.

“Tashmë kjo është bërë publike, dhe ai e ka pranuar edhe ai vet, pasi nuk do të doja të cenoja privatësinë e tij. Ai është personi i parë që është infektuar me Covid-19, kjo ka ndodhë me datën 27, ai ka ardhur në QKMF ku ka kërkuar që t’i bëhet testi, dhe më pas ka shkuar vet në Prishtinë për ta bërë testin. Në atë kohë ai nuk e ka ditur se është i infektuar, dhe duket se ai ka pasur edhe migrenë dhe kokëdhembja për të ishte normale. Por, numri i të infektuarve duhet të jetë edhe më i lartë”, ka thënë Kastrati.

Ai tutje ka shtuar se duhet që secili ta konsiderojë që të mbajë distancën, të shmangë daljen jashtë shtëpisë përveç për gjëra esenciale.

Sipas tij as shtetet më të zhvilluara nuk kanë kapacitet të ndalin shpejtësinë e shpërndarjes së virusit, e lëre më vendet në zhvillim siç është Kosova.

Ai thotë se janë testuar dy policë, e se rezultatet priten nesër.

“Të gjitha udhëzimet duhet t’i respektojmë me përpikëri të plotë. Mendoj se prioritetin më të madh duhet ta kenë stafi shëndetësor, policët e ata që janë në frontin e parë. Sot janë testuar dy policë, dhe këta janë nga familja e personit të moshuar që tashmë ka virusin”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shtuar se stafi shëndetësor është mirë i furnizuar.

“Prapë e konsideroj se është brenda normales situata, por mos të harrojmë se i kemi vetëm 126 të infektuar dhe duhet ta kemi parasysh atë çfarë kanë thënë institucionet. Ne kemi Kuvend funksional dhe udhëheqësit qeveritarë dhe ata e ushtrojnë detyrën në këto gjendje. Besoj se Kosova e ka një sistem të rregulluar mirë sa që për asnjë moment institucionet nuk mbesin vakante, përveç nëse ka persona të papërgjegjshëm”, ka thënë Kastrati.

Ai thotë se është shqetësues fakti që shumë qytetarë dalin në shëtitje e rrinë shumë persona së bashku, pa respektuar distancën, madje thotë se ka raste kur familjarë ose fqinjë të ndonjë të infektuari shkojnë për vizitë të pacienti.

“Edhe në Kamenicë nuk është në nivelin e kënaqshëm që do të duhej të ishte, pasi qytetarët dalin jashtë kur është dita e mirë, por shkojnë edhe të vizitojnë fqinjët një të infektuar me Covid-19. E nuk e respektojnë distancën, fatkeqësisht nuk e kemi nivelin disiplinës, por do të duhet ta dimë se kjo mund të ketë pasoja. I ftoj qytetarët që thirrjet e udhëzimeve t’i përcjellin, veçanërisht ato të OBSH-së dhe të IKSHKP-së, e të mjekëve”, ka thënë Kastrati.