Arbëri

Nesër në mëngjes Janjeva del nga karantina, kërkohet kujdes nga banorët

Në orët e hershme të së martës, fshati Janjevë në komunën e Lipjanit, do të lirohet nga karantina, pasi që personi i vetëm i infektuar me virusin Covid-19 tashmë është shëruar plotësisht, raporton KOHA.

Gjatë kësaj periudhe kohore janë bërë analizat familjarëve dhe të afërmve të pacientit që ka mundur të ketë kontakte fizike, mirëpo ndërkohë të gjitha kanë rezultuar negative.

Shtabi i emergjencave në komunën e Lipjanit, ka mbajtur mbledhje edhe të hënën në të cilën është debatuar rreth kësaj çështje.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi.

“Janjeva nesër në mëngjes do të dalë nga karantina, ndërkaq do të izolohet vetëm shtëpia e pacientit i cili ishte i infektuar me Covid-19”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkohë edhe burime brenda Policisë së Kosovës në Lipjan, kanë konfirmuar se Janjeva do të lirohet nga karantina në mëngjesin e së martës.