Arbëri

Familja Reçica nga fshati Llugaxhi kërkon nga KEDS-i zhvendosjen e trafos që po i rrezikon ata

Për më shumë se 17 vjet, familja e Arbnora Reçicës nga fshati Llugaxhi i Komunës së Lipjanit, përballet me rrezik të vazhdueshëm nga trafoja e vendosur në oborrin e shtëpisë së tyre.

Reçica tha se kjo trafo u vendos në kohën e pushtetit jugosllav, ndërsa familja e saj kishte bërë vazhdimisht kërkesa që asaj t’i ndërrohej lokacioni.

Megjithatë, ajo shton se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga institucionet, as para e as pas luftës, derisa thekson se ndihen vazhdimisht të rrezikuar nga kjo gjendje.

Ajo thotë se të shpeshta kanë qenë rastet kur janë dëmtuar pajisjet shtëpiake për shkak të mbingarkesës dhe tensionit të lartë, të ardhura si pasojë e reshjeve atmosferike.

Sipas saj, kompania përgjegjëse KEDS nuk po intervenon shkaku i kostos së lartë për zhvendosje.

“Secili individ i bart përgjegjësitë e veta për ndërtime jashtë standardeve”, ka thënë shkurt Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it i pyetur nga televizioni për këtë rast.