Arbëri

Llugaxhija e Pejës në vetizolim

Fshati Llugaxhi i Pejës është futur në vetizolim, pasi dje u diagnostifikua pozitivisht një grua 73 vjeçare nga ky fshat me virusin COVID-19.

Petrit Loci, shef i shtabit emergjent në këtë komunë, tha se fshati Llugaxhi është vetizoluar për shkak të rastit të konfirmuar me virusin COVID-19.

Koha ka pyetur Locin pse ky fshat nuk është në karantinë, sikur vendbanimet tjera në Kosovë, që janë futur në karantinë pasi janë shfaqur rastet me koronavirus, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

Për një rast të koronoavirusit, si shembull, Klina me gjithë fshatrat e saj gjendet që dy javë në karantinë. E përveç fshatit Llugaxhi sipas Locit është izoluar edhe fshati Kosuriq, për arsye se është fshat kapur me fshatin Llugaxhi.

“Tash ato janë për dy javë të vetizoluara dhe do të përcillen simptomat e banorëve dhe nuk ka të drejtë të hyjë e të dal askush në këto dy fshatra”, tha Loci.

Mirëpo, një banor i fshatit Kosuriq, S. Kelmendi, që kishte dal në Pejë pas orës 16:00, për të blerë artikuj ushqimorë, i ka thënë Kohës se askush nuk u ka thënë se edhe ata të Kosuriqit duhet të vetizolohen.

“Neve askush nuk na ka thënë të vetizolohemi, por që jemi tash me kujdes të shtuar. Fshati Llugaxhi është i izoluar. Ka forca policore. Neve të fshatit Kosoriq nuk na lejojnë të shkojmë në atë fshat. Lagja ku është shfaqur rasti me koronavirus, është nën kontroll policore dhe aty nuk ka asnjë lëvizje”, tha Kelmendi.

Ndërsa, komandanti i Stacionit Policor të Pejës, Ndue Nikolla, tha se janë me patrullime në këto dy fshatra, kurse një automjet policor sipas tij, është statik afër shtëpisë së personit që ka dal pozitiv me virus.

Gruaja 73 vjeçare është testuar pozitivisht të enjten në koronavirus dhe ky është rasti i parë i paraqitur në komunën e Pejës.