Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” që monitoron zhvillimet në disa institucione publike në nivel lokal dhe qendror, nëpërmjet një komunikate për media ka shprehur shqetësime lidhur me mësimin “online” që po zhvillohet në kuadër të ministrisë së Arsimit.
Kjo OJQ, ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve kanë përcjellë ligjëratat “online”, andaj kanë konsideruar se kjo po krijon konfuzion tek nxënësit duke mos pasur një organizim dhe renditje të mirë të procesit mësimor.
“Ky proces nuk ka organizim të mirë dhe as trajtim të temave mësimore. Shumë prej nxënëseve kanë probleme të hapësirave ku kjo periudhë e ligjërimit përfundon aq shpejt sa që nuk janë në gjendje as të përcjellin këtë ligjëratë. Avonet, ka vërejtur se gjatë gjithë ligjëratës që mbahet ‘online’, hapësira në ekran është më shumë e mësimdhënësve se sa e materialeve që iu prezantohet nxënësve”, thuhet në komunikatën e “Avonet”-it, raporton KOHA.
Sipas tyre, kjo tregon se MASHTI nuk ka ndonjë alternativë dhe mënyrë të mirë për këtë metodologji të mësimit.
”Kërkojmë nga MASHTI që urgjentisht të ndryshojnë metodën e mësimit dhe të krijojë hapësirë më të madhe për materialet që janë për nxënës, se sa të prezantohen mësimdhënësit. Andaj Avonet kupton edhe gjendjen që ekziston, por një veprim i tillë veç sa e dëmton procesin arsimor në këtë periudhë”, thuhet më tej në komunikatë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.