Obiliqi ndan 100 mijë euro për familjet në nevojë në kohë pandemie Foto: Driton Paçarada / Koha

Obiliqi ndan 100 mijë euro për familjet në nevojë në kohë pandemie

Nexhat Tovërlani Nexhat Tovërlani 24 March 2020 19:57

Kuvendarët e Obiliqit nëpërmjet një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur në një sallë sportive, kanë votuar pro ndarjes së 100 mijë euro për shkak të gjendjes emeregjente që është krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19, raporton KOHA.

Shuma e propozuar nga kryetari Komunës, Xhafer Gashi ka qenë 90 mijë, por me kërkesë të këshilltarit të PDK-së, Lulzim Sadiku, kjo shumë është rritur edhe për 10 mijë euro tjera.

Para se të votohej nga të gjithë këshilltarët komunalë prezentë, kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, ka thënë se janë në një krizë sociale e humane.

“E kemi ndarë një buxhet nga Drejtoria për Shërbime Publike, nga mallrat dhe shërbimet, me qëllim që t’iu krijojmë atyre që ju ua përcillni mesazhin që të rrinë në shtëpitë e tyre, t’iu dalim në ndihmë që të paktën mos e kanë problem ushqimin. Po ashtu është një pjesë e cila do të ndahet për pararojet e kësaj lufte, në këtë rast për mjekët tonë që po e japin maksimumin. I keni pa kushtet e tyre në çfarë veprojnë. Zoti i ruajt dhe shpresoj që kështu do të ndodhë edhe më tutje. Janë duke e ba një luftë të pakompromis edhe me një përgatitje minimale”, u ka thënë këshilltarëve komunalë Xhafer Gashi.

Sipas tij, institucionet të cilat shfrytëzohen dhe autoambulancat duhet të dezinfektohen në vazhdimësi. “Mjekëve t’u krijohet mundësi më e mirë në aspektin e mbrojtjes shëndetësore, gjithashtu edhe atyre që janë të prekur me sëmundjen e padukshme, të paktën të kemi mundësi t’ua bëjmë dezinfektimin e shtëpive të tyre, t’iu ofrojmë medikamente të nevojshme dhe sadopak një pako ushqimore për me mujt me shty”.

Kryetari i Obiliqit ka theksuar se deri tash janë dy persona të kësaj komune që kanë dalë pozitivë me koronavirus dhe 30 të tjerë të ardhur nga jashtë që janë vetizoluar.

“Ata kanë kontakte të vazhdueshme me policinë dhe QKMF-në, po mundohemi sado pak me iu dale në ndihmë. Kemi edhe ndihma të tjera që po na vijnë nga biznese të ndryshme dhe organizata joqeveritare”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e partive politike e kanë përkrahur ndarjen e mjeteve financiare dhe me kërkesë të PDK-së ajo është rritur nga 90 në 100 mijë euro dhe është votuar unanimisht.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme