Arbëri

Në Prizren, 3 persona ndalohen për shkeljen e masave kundër koronavirusit

Policia rajonale e Prizrenit ka pohuar se organet e rendit janë duke i zbatuar të gjitha udhëzimet e Qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.

Zëdhënësi i PK-së për Prizren, Shaban Osmanollaj, tha se në këtë drejtim janë duke i asistuar institucionet lokale në rajonin e Prizrenit, raporton KOHA.

“Në bashkëpunim me Inspektoratin komunal kemi vepruar në Prizren, kështu që ditëve të fundit 6 raste i kemi pasur të ftuar pronarët e bizneseve, për faktin se nuk e kanë respektuar urdhrin e Ministrisë”, tha Osmanollaj.

Ai ka shtuar se janë mbyllur edhe lokalet, sidomos bizneset që kanë ofruar shërbime të ushqimeve dhe pijeve.

“Ka pasur raste edhe kur bizneset nuk e kanë pasur të qartë vendimin dhe për këtë arsye kanë ofruar shërbime, derisa e kanë kuptuar se si duhet vepruar. Me njoftimin tonë i kanë marrë masat e i kanë mbyllur lokalet, u janë përmbajtur udhëzimeve”, shtoi ai.

Ndërsa, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Thaçi, ka theksuar se ky dikaster gjatë fundjavës ka qenë më aktiv.

“Ditën e diel kemi pasur katër raste që është dashur të mbyllen me asistim të policisë, ndërsa ditën e shtunë ka qenë një rast. Ditëve të tjera s'kemi pasur nevojë për asistim, meqë janë mbyllur me procesverbale apo me urdhra verbalë”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, 5 rastet, 2 në qytet dhe 3 në zonat rurale, kanë të bëjnë me mosrespektimin e masave të nxjerra nga Qeveria kundër përhapjes së COVID-19.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prizren përmes përgjigjes me shkrim ka njoftuar se nga data 16 deri më 23 mars 2020, në rajonin e Prizrenit janë trajtuar 6 raste për mosrespektimin e dispozitave që parasheh legjislacioni i Kosovës për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse, në këtë rast virusi COVID – 19.

“Tre prej personave të dyshuar, në tri raste të ndara, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” nga neni 250 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, tri rastet e tjera për të njëjtën vepër, me vendim të prokurorit janë duke u hetuar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur Prokuroria në Prizren.