Dy fshatra të Gjilanit, Zhegra e Vrapçiqi, janë vendosur në karantinë, pas dy rasteve të para të konfirmuara me koronavirus në këto vende.
Lajmi është bërë i ditur të dielën nga Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.
“Në takimin e mëngjesit, bashkërisht me Komitetin, i cili është duke e menaxhuar situatën, në koordinim të plotë me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri, kemi vendosur që dy fshatrat e prekura me Covid-19, të vendosen në karantinë. Ekipet tona mobile të shëndetësisë primare në koordinim të plotë me Spitalin e Përgjithshëm dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, janë në terren për t’i identifikuar rastet eventuale që kanë mundur të preken”, ka deklaruar nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli.
Sipas komunikatës, Ismajli ka apeluar te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të kujdesen për higjienën.
“Situata është e qetë, nuk ka vend për shqetësim. Një rast i konfirmuar me Covid-19, është duke u trajtuar në shtëpi në vetizolim, i cili akoma nuk ka treguar simptoma të virusit, kurse rasti tjetër është në Klinikën Infektive në Prishtinë dhe po trajtohet atje. Jemi duke punuar vazhdimisht që të jemi afër qytetarëve. Apeli është që të qëndroni në shtëpitë tuaja dhe kujdesuni për higjienën, e cila është e vetmja mënyrë për t’u vetëmbrojtur”, ka thënë Ismajli.