Arbëri

Pejanët të shqetësuar me lypsarët që shkaku i koronavirusit, tash po trokasin derë më derë

Foto: Koha / ilustrim

Masat e rrepta për parandalimin e koronavirusit kanë ndikuar në lëvizjen e pakët të qytetarëve nëpër qytetin e Pejës. E numri i pakët i qytetarëve nëpër rrugë të qytetit ua ka vështirësuar punën lypsarëve, të cilët tash kanë nisur të mos rrinë nëpër rrugë si deri më tash dhe gjithnjë e më shumë po shfaqen lagjeve të qytetit, duke kërkuar lëmoshë derë më derë.

Shumë qytetarë që kanë kontaktuar Kohën kanë shprehur shqetësimet dhe frikën e tyre, duke i parë ata si rrezik për shpërhapje të virusit.

“Kështu mund të shpërhapet virusi. Dikush që vet është i infektuar mund t’i infektojë ata dhe pastaj këta neve. Ose vetë mund të jenë të infektuar. Shteti duhet të bëjë diçka sepse nuk mund ndryhemi tash edhe prej lypsarëve e mos me guxu as në oborr me dal”, shpreh shqetësimet e tij i moshuari 80-vjeçar Brahim J.

Në Polici të Pejës thonë se deri tash nuk kanë pasur ndonjë ankesë të kësaj natyre nga qytetarët për lypsarët që tash kanë nisur të ikin nga qendra e qytetit dhe po i vërsulen lagjeve të mbushura me popullatë.

“Ne nuk kemi pranuar ende ndonjë ankesë deri tash lidhur me këtë shqetësim të qytetarëve, por ne do të merremi tash seriozisht me këtë çështje të paraqitur në qytet për çka qenkan ankuar qytetarët dhe t’i parandalojmë këto raste. Ne do t’i angazhojmë edhe njësitet tona pasi është identifikuar edhe ky si një problem që po e shohin qytetarët, aq më shumë kur në këtë situatë askush nuk është i sigurt në kuptimin e kësaj pandemie nga koronavirusi”, thotë për Kohën, komandanti i Stacionit Policor të Pejës, majori Ndue Nikolla, i cili është edhe anëtar i Shtabit Emergjentë Komunal.

Një lypsar i infektuar, apo që mund të infektohet nga një qytetar i infektuar, duke i dhënë në dorë diçka dhe pastaj atë virus ta shpërndajë nëpër shtëpitë tjera në të cilat trokasin, për infektologun Zenel Shatri, shef i repartit infektiv në Spitalin e përgjithshëm të Pejës, është rrezik në situatën e sotme shkaku i koronavirusit.

“Me këtë fenomen tash ishte dashtë të merret shteti menjëherë, sepse në syrin tim si infektolog e si profesionist, nuk është aspak e mirë dhe shumë e rrezikshme, sepse ata shkojnë derë më derë, takohen me njërin pastaj shkon e takohet me tjetrin. Ende nuk kemi të infektuar në Pejë, por me pas raste, mundësia e shpërhapjes së virusit përmes lypsarëve do të ishte shumë më e madhe”, thotë Shatri.