Arbëri

Futja në karantinë e Klinës do t’i lë ata edhe pa shërbimin e bartjes së mbeturinave

Foto: Ambienti

Pas vendimit të marrë nga Qeveria Kurti, për ndalimin e hyrjeve-daljeve të qytetarëve në Klinë dhe Viti, pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë, qytetarët e Komunës së Klinës kanë nisur të shqetësohen për shkak se kjo ndalesë vlen edhe për stafin e kompanisë së mbeturinave “Ambienti”, pasi ndalesa vlen edhe për ta.

Nexhat Abdullahi, drejtor i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti” në Pejë, e cila mbulon Pejën dhe ka njësitë e saj në Klinë dhe Istog, thotë për Kohën se ky vendim ua pamundëson për momentin që të kryejnë shërbimet në këtë qytet.

“Ndalimi i hyrje-daljes nga Klina vlen edhe për stafin e ‘Ambientit’. Nëse ata punojnë, duhet me dal nga Klina e me ardh me i sjellë mbeturinat në deponinë rajonale në Sverk të Pejës. Kështu që apelojmë te popullata e komunës së Klinës, që të vetëmenaxhojnë me mbeturinat e tyre dhe të përmbahen të paktën të shtunën dhe të dielën, e të mos gjuajnë mbeturina nëpër pikat tona grumbulluese, për faktin që shumica e banorëve jetojnë në banime individuale dhe t’i mbajnë mbeturinat në hapësirat e tyre të shtëpive të paktën deri ditën e hënë. Unë si drejtor jam në kontakt të vazhdueshëm me stafin e ‘Ambientit’ në Klinë dhe shpresojmë se ditën e hënë do të zbutet pak gjendja dhe të vazhdojmë punën për bartjen e mbeturinave”, ka thënë Abdullahi.

E deri të rinis bartjen e mbeturinave, kjo kompani sugjeron qytetarët që të sigurojnë thasë për mbeturina dhe t’i fusin në to e t’i mbajnë në shtëpi e mos i hedhin në kontejnerë, derisa “Ambienti” serish të fillojë me bartjen e mbeturinave.

Abdullahi thotë se këtë problem nuk e kanë në Pejë dhe se momentalisht janë dy ekipe në rrugë që punojnë natën, kurse të shtunën punon një ekip që kryen shërbim në Rugovë dhe për mishtore, e një ekip tjetër kryen shërbim në Gorazhdec dhe qytet nëpër biznese, si dhe një ekip mobil.

“Nuk kemi asnjë ndryshim të orarit të zakonshëm për momentin në Pejë dhe shpresojmë që nuk do të paraqitet ndonjë pengesë në ofrimin e shërbimit tonë”, thotë Abdullahi.