Arbëri

Reforma në Kamenicë, Krileva e Busavata ndihen të diskriminuara

Pas më shumë se një muaji, nxënësit e shkollës së Koretinit në Kamenicë janë kthyer në bankat e shkollës.

E një gjë të tillë, ata e kanë mirëpritur, transmeton KTV-ja.

Orët e humbura, sipas drejtoreshës së shkollës “Abdullah Krashnica – Presheva”, Shpresa Keqmezi, pritet të zëvendësohen.

Vendimi që mori një ditë më parë kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati bashkë me ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, bëri që edhe shkolla e Topanicës të vijojë mësimin pa aplikuar reformën.

Ndërkaq një gjë e tillë ka nxitur reagimin e fshatrave, të cilat janë pjesë e reformës.

Madje në shkollën e Busavatës, nxënësit po mbajnë edhe mësim, ndonëse kjo nuk u lejohet nga ana e Komunës së Kamenicës.

Prindërit atje thonë që do të vazhdojnë këtë formë të procesit mësimor.

Kështu, të mërkurën këshilli i prindërve të Busavatës e Krilevës u drejtuan për në Ministrinë e Arsimit për të kërkuar një sqarim.

Sipas tyre, vendimi është diskriminues.

Ata madje nuk janë pajtuar as me përgjigjen që kanë marrë nga MASHTI.

Për shkak të kësaj, ata kanë paralajmëruar se do të ankohen edhe në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Ndërkaq, Komuna e Kamenicës me gjithë ndryshimet, zotohet se nuk do të heqin dorë nga reforma.

Reforma në Kamenicë është ndarë në dy faza. Faza e parë është aplikuar në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe ka përfshirë fshatrat Krilevë, Busavatë, Strezoc e Tuxhec. Ndërkaq, faza e dytë që edhe është pezulluar ka përfshirë fshatrat Koretin, Topanicë e Petroc.