Prej disa vitesh zvarritet projektit i impiantit të ujërave të zeza në Ferizaj Foto: Koha

Prej disa vitesh zvarritet projektit i impiantit të ujërave të zeza në Ferizaj

Agim Ademi Agim Ademi 26 February 2020 14:06

Banorët e fshatrave dhe të qytetit të Ferizajt prej disa vitesh po përballen me kundërmim nga ujërat e zeza të cilat po e ndotin rrjedhën e lumit Nerodime.

Ndërkohë po zvarritet nisja e projektit për ndërtimin e impiantit në vlerë prej rreth 40 milionë eurosh me buxhet të Qeverisë së Kosovës, raporton Koha Ditore.

Me një gjendje më të rëndë po përballen banorët e fshatrave nëpërmjet të cilave kalon lumi Nerodime. Sipas studimit të fizibilitetit për realizimin e impiantit rreth 85 për qind e ujërave të zeza të kësaj komune derdhen në lumin Nerodime. Në komunën e Ferizajt kanë thënë se të gjitha dokumentet ndërmjet komunës dhe Qeverisë Hungareze janë finalizuar para zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërkohë procedurat nuk kanë vazhduar më tej.

Muharrem Svarqa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Ferizaj, njëherësh shef i grupit të këshilltarëve në Kuvendin Komunal, ka thënë se projekti për impiantin e ujërave të zeza po zvarritet si pasojë e mos angazhimit të ekzekutivit të komunës. Sipas tij, ish qeverisja e kaluar e LDK-së më 2017 ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për këtë projekt, mirëpo pas ndërrimit të qeverisjes lokale i është dhënë prioritet disa projekteve të tjera. “

LDK-ja gjatë qeverisjes në Ferizaj e kemi përfunduar studimin e fizibilitetit dhe hartimin e këtij projekti, mirëpo qeverisja aktuale në Ferizaj nuk është angazhuar më asnjëherë për këtë projekt”, ka thënë Svarqa.

Sipas tij, sipas studimit 86 për qind e ujërave të zeza të komunës kalojnë në drejtim të fshatit Gurëz dhe derdhen në lumin Nerodime.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është zotuar se projekti për impiantin e ujërave të zeza në vlerë prej rreth 40 milion eurosh do të nisë gjatë këtij viti i cili është njëri ndër projektet më madhore për këtë komunë. Sipas tij, nisja e këtij projekti është zvarritur shkaku i procesit zgjedhor në fund të vitit të kaluar.

“Ajo që pati mbetur si peng i mos konstituimit të Qeverisë së Kosovës deri tashti, është projekti i ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza ku gjithçka ishte e finalizuar sa i përket komunës dhe Qeverisë Hungarze. Mirëpo pas konstituivit të Qeverisë së Kosovës do të nis edhe ky projekt i rëndësishëm për komunën e Ferizajt që ka një vlerë financiare prej mbi 40 milion eurosh”, është zotuar Aliu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme