AAK-ja në Lipjan e cilëson të dështuar projektin e rrugës me katër shirita, kërkon hetime Foto: Koha

AAK-ja në Lipjan e cilëson të dështuar projektin e rrugës me katër shirita, kërkon hetime

Agim Ademi Agim Ademi 26 February 2020 13:56

Kuvendari në KK të Lipjanit nga radhët e AAK-së, Ramiz Qeriqi, ka akuzuar qeverisjen lokale me arsyetim se ka dështuar ta realizoi projektin e rrugës me katër shirita në vlerë prej rreth 2 milion eurosh.

Ky projekt fillon prej ish tregut të kafshëve në hyrje të qytetit dhe përfundon në rrugën “Skënderbeu” te stacioni i trenit brenda qytetit.

Sipas Qeriqit, ky projekt që pati nisur më 2012-2013 me paratë e ministrisë së Infrastrukturës është keqmenaxhuar nga drejtuesit e komunës së Lipjanit. Madje, sipas tij, ekzekutivi i komunës nuk e ka vullnetin ta realizoi këtë projekt me arsyetim se dëmtohen disa biznese të cilat menaxhohen nga njerëz të afërt me pushtetin lokal, raporton Koha Ditore.

“Përgjatë kësaj rruge ekzistojnë disa ndërtime të larta, andaj për ta realizuar këtë projekt mendojmë se duhet të rrënohen disa terrasa të bizneseve që menaxhohen nga njerëz të afërt me ekzekutivin e komunës. Përveç kësaj, për ta realizuar këtë projekt duhet të zgjidhen edhe disa konteste pronësore. Pra, ekzekutivi ka dështuar ta menaxhoi këtë projekt sepse është i zhytur vetë në këto probleme. Ndërkohë, është tentuar të bëhej kjo rrugë me tre shirita, mirëpo një gjë e tillë është kundërshtuar nga ministria”, ka thënë Qeriqi.

Ai shpjegon se personalisht ka kërkuar qasje në dokumente publike për ndërtimet që janë bërë përgjatë kësaj rruge, mirëpo kjo e drejtë i është mohuar.

“Ne kërkojmë nga prokuroria ta hetoi këtë projekt dhe të gjitha dokumentacionet së bashku me pjesën e rrethrrotullimit sepse është shqetësuese të ngecin punimet prej 2013-s”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër Diamant Bytyqi zëdhënës i komunës së Lipjanit ka thënë se është një problem i trashëguar prej ish qeverisjes së kaluar. Sipas tij, Komuna ka planifikuar 100 mijë euro nga buxheti vetjak për përfundimin e këtij projekti sepse disa konteste pronësore e kanë pamundësuar zhvillimin e punimeve. “Ndërkaq, çdo kush që kërkon qasje në dokumente mendojmë publike i ofrohet dhe nuk kemi as një rast që dikujt i është refuzuar një kërkesë e tillë”, ka thënë shkurt Bytyqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme