Aplikojnë 234 votues nga diaspora për zgjedhjet në Podujevë Foto: Driton Paçarada/Koha Ditore

Aplikojnë 234 votues nga diaspora për zgjedhjet në Podujevë

Nexhat Tovërlani Nexhat Tovërlani 24 February 2020 15:46

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 234 aplikacione të votuesve nga jashtë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se 6 prej tyre janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve.

“Ka përfunduar afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës. Gjatë periudhës së regjistrimit (16 – 23 shkurt). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 234 aplikacione, prej tyre 233 janë pranuar përmes postës elektronike të shërbimit votues dhe 1 aplikacion përmes faksit të KQZ-së. Menjëherë pas pranimit, shërbimi votues i ka shqyrtuar këto aplikacione dhe ka aprovuar 228 prej tyre, ndërsa ka refuzuar 6 të tjera për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore”, ka thënë Valmir Elezi.

Sipas tij, më së shumti aplikacione ka pasur nga Gjermania 117 aplikues, pason Zvicra me 46, Franca me 11, Sllovenia e Austria me nga 8, Suedia e Mbretëria e Bashkuar me nga 7, Norvegjia me 6, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia me nga 4, Danimarka dhe Republika e Çekisë me nga 3, Finlanda 2 dhe Kroacia dhe Belgjika me nga 1.

Por, Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se duke u mbështetur në përvojën nga proceset e kaluara zgjedhore, jo të gjithë votuesit që regjistrohet suksesshëm si votues jashtë vendit votojnë gjatë periudhës së votimit përmes postës.

Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, sivjet ka më shumë aplikues për votimin me postë.

Valmir Elezi, ka thënë se para dy vjetëve në zgjedhjet e rregullta lokale kishte pasur 170 aplikues për Podujevë, ndërsa 92 prej tyre e kishin shfrytëzuar të drejtën e votës. Ndërkohë, numër më i madh sesa sivjet kishte pasur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 në Komunën e Podujevës. Vitin e kaluar kishte pasur 1145 aplikues, ndërsa kishin votuar 791 prej tyre.

Qytetarët e Podujevës do t’u drejtohen kutive të votimit më 15 mars për të zgjedhur kryetarin e kësaj Komune, pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Agim Veliu.

Presdenti Hashim Thaçi, i ka shpallur zgjedhjet në Podujevës të dielën e tretë të muajit mars, pasi Veliu është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë Kurti.

Të tre kandidatët që do të garojnë për të parin e Podujevës kanë qenë në listat për deputet të partive të u përkasin në zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar, por vetëm Bulliqi i Vetëvendosjes ka arritur të sigurojë ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Në garë për të parin e Podujevës janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme