Arbëri

“EC Ma Ndryshe” përsëri kërkon shkarkimin e drejtorëve me aktakuza

Foto: Koha

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” të mërkurën ka përsëritur kërkesën për shkarkimin e drejtorëve të Komunës së Prizrenit që akuzohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Duke sjellë në vëmendje qëndrimin e javës së shkuar të kryetarit Mytaher Haskuka në raport me koalicionin me LDK-në, kjo organizatë ka vlerësuar se “në rast të implementimit të këtij qëndrimi të kryetarit nga detyra shkarkohet drejtori i DPMS-së që vjen nga LDK-ja dhe që akuzohet nga Prokuroria se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, raporton “Koha Ditore”.

“Në një situatë të tillë, në detyrë mbeten vetëm dy drejtorët e VV-së me aktakuza të ndara për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagimin e EC-it, ku përkujtohet se si Prokuroria Themelore në Prizren me datë 3 dhjetor 2019 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve komunalë dhe dy personave të tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe se si me datë 20 dhjetor 2019, kjo prokurori ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër një drejtori dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Më datë 14 janar 2020, kryetari i Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka, ka njoftuar se drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Refik Shaqiri (njëri prej tre drejtorëve të akuzuar më 3 dhjetor 2019) ka dhënë dorëheqje dhe se do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike. Duke marrë parasysh mungesën e deritanishme të vullnetit individual të drejtorëve të tjerë komunalë të cilët kanë aktakuza për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të Drejtorisë komunale, ‘EC Ma Ndryshe’ përsërit kërkesën drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka, për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij që dyshohen për shkelje të ligjit. EC-i përkujton se premtimet elektorale të z.Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional”, shkruan në reagimin e EC-it.