Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë kanë kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që ta padisë kuvendin e kësaj komune për shkak të mosshfuqizimit të një vendimi, i cili është vlerësuar i paligjshëm.
Vitin e kaluar, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e kishte vlerësuar në shpërputhje ligjore plotësim-ndryshimin e Planit Zhvillimor Urban të Fushë-Kosovës. Në atë vendim kërkohej që i njëjti të shfuqizohej brenda 30 ditësh. Por edhe pse kanë kaluar rreth 100 ditë nga atëherë, kjo nuk ka ndodhur, ani pse në muajin janar kjo ishte si pikë e rendit të ditës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kërkesën e VV-së drejtuar MAPL-së thuhet se në nenin 82, paragrafi 4 të Ligjit për vetëqeverisje lokale është e përcaktuar se në rastet kur kuvendet nuk përgjigjen brenda afatit refuzojnë kërkesën, ose mbështesin aktin e kontestuar, autoriteti në fjalë mund ta procedojë rastin në gjykatë.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Fushë-Kosovë, Durim Hajra, i cili edhe e ka paraqitur kërkesë-padinë, ka thënë se shtyrja e shfuqizimit të këtij vendimi po përdoret nga ekzekutivi për zgjatjen e kohës që të lëshohen leje ndërtimore me kritere më të favorshme se ato që parasheh Harta Zonale.
“Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, neni 82, paragrafi 4, Organi mbikëqyrës i komunave është i detyruar që t’i drejtohet Gjykatës Themelore pasi që Komuna e Fushë-Kosovës ende nuk e ka shfuqizuar vendimin e marrë në mbledhjen e Kuvendit Komunal të datës 9.7.2019, nr. 151., vendim i cili është konstatuar i kundërligjshëm nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në kërkesë-padinë e Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar MAPL-së.
“Në bazë të nenit të cekur më lart ‘Nëse komuna nuk përgjigjet brenda afatit apo refuzon kërkesën, apo mbështet vendimin apo aktin e kontestuar, autoriteti mbikëqyrës mund ta kundërshtojë aktin në fjalë në Gjykatën e Qarkut që është kompetent për territorin e Komunës, brenda 30 ditësh pas dështimit për t’iu përgjigjur njoftimit për refuzim apo mbështetjen e vendimit apo aktit të kontestuar’, e detyron Ministrinë e Pushtetit Lokal që t’i drejtohet Gjykatës Themelore”.
Siç thuhet në kërkesë-padi, me mosveprimin e Kuvendit Komunal, sërish janë shkelur ligjet në fuqi… (shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)