Opozita në Shtërpcë kritikon komunën për shpërdorim të parasë publike

Opozita në Shtërpcë kritikon komunën për shpërdorim të parasë publike

Agim Ademi Agim Ademi 17 February 2020 13:52

Subjekti opozitar Nisma Socialdemokrate, dega në Shtërpcë sërish ka akuzuar komunën për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike derisa në Spitalin rajonal të Shtërpcës prej disa vitesh po vazhdojnë të marrin paga dhjetëra punonjës shëndetësor pa punuar fare.

Sipas këtij subjekti projekti i spitalit rajonal prej vitesh po zvarritet pa ndonjë arsyeje.

Nëpërmjet një reagimi ky subjekt ka njoftuar se komuna për çdo vjet po ndan mijëra euro për blerje të pajisjeve spoecialistike dhe për inventar, mirëpo ato shpenzime po mbulohen vetëm me fatura pa u blerë fare pajisjet. Rreth çështjes së pasqyrave buxhetore edhe auditori i përgjithshëm, ka gjetur një varg shkeljesh në komunën e Shtërpcës.

Rifat Rrustemi, këshilltar në KK të Shtërpcës nga radhët e Nisma Socialdemokrate në Shtërpcë, ka thënë se disa herë ka kërkuar nga komuna që t’i prezantojnë pajisjet e blera për Spitalin Rajonal, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas tij, rreth 20 punonjës të këtij spitali marrin paga pa punuar fare derisa projekti nuk është finalizuar.

“Spitali Rajonal nuk është ende funksional si pasojë e zvarritjeve të punimeve brenda, ndërkohë rreth 20 infermier, punëtor teknik, dhe stafi menaxhues marrin paga pa punuar fare. Ndërkohë disa nga menaxhuesit e këtij spitali shpeshherë sillen nëpër komunë sepse ende nuk dihet se kur do të filloi puna e Spitalit. Kjo komunë ka keqmenaxhuar me paranë publike derisa për çdo vjet po ndahen mijëra euro për pajisje specialistike dhe për inventar, mirëpo ato shpenzime po mbulohen vetëm me fatura. Ne kemi kërkuar t’i shohim ato pajisje, por nuk kemi pasur qasje”, ka kritikuar Rrustemi.

Sipas tij, punonjësit që marrin pagë pa dalë në vendin e punës paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, andaj edhe Auditori i Përgjithshëm ka gjetur një varg shkeljesh rreth menaxhimit të parasë publike.

“Disa nga këta zyrtar përveç buxhetit të Republikës së Kosovës, marrin paga edhe nga strukturat paralele. Në anën tjetër kemi disa ordinanca pa staf mjekësor siç është rasti i fshatit Brod derisa banorët duhet të udhëtojnë me kilometra për të marrë shërbime mjekësore. Ne kërkojmë që këto keqmenaxhime dhe keqpërdorime të parasë publike të ndërpriten me urgjencë dhe të finalizohet spitali rajonal i cili është ndërtuar sipas pakos së Ahtisarit”, ka thënë Rrustemi.

Qytetarët e kësaj komune kanë thënë se po e vuajnë mungesën e Spitalit Rajonal pasi që shërbimet e tilla shpeshherë po duhet t’i marrin në qytetin e Ferizajt. “Shumë qytetar të komunitetit shqiptar marrim shërbime mjekësore në Spitalin Rajonal të Ferizajt sepse këtu në Shtërpcë Qendra e Mjekësisë Familjare nuk i ofron të gjitha shërbimet. Sikur të fillon punën Spitali Rajonal në Shtërpcë, do të ishte më mirë për të gjithë”, ka thënë Gentrit Krasniqi, qytetar.

Në anën tjetër prej disa ditësh kryetari i komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliq, nuk ka qenë i qasshëm për të marrë një deklaratë rreth kësaj çështje.

Ndërkohë auditori i Përgjithshëm nëpërmjet raportit të monitorit për komunën e Shtërpcës, midis të tjerash ka tërhequr vëmendjen se kjo komunë ka bërë disa pagesa për shërbime në mënyrë të gabuar nga kategoria e investimeve kapitale megjithëse nga natyra i takonin kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.

“Kryetari i komunës së Shtërpcës është përgjegjës për përgatitjen dhe prezantimin e drejtë të pasqyrave financiare sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit në Sektorin Publik - Raportimi Financiar bazuar në Kontabilitetin e Parasë së Gatshme të modifikuar, dhe për kontrollet e brendshme të cilat menaxhmenti i përcakton si të nevojshme për të mundësuar përgatitjen e pasqyrave financiare, pa keq-deklarime materiale të shkaktuara qoftë nga mashtrimi apo gabimi.

Kjo përfshinë zbatimin e Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, thuhet në raportin e auditorit të përgjithshëm. Sipas tyre, Kryetari i kësaj komune duhet të siguroj se është bërë një analizë për t’i përcaktuar shkaqet për mos adresimin e rreziqeve të rëndësishme lidhur me plotësinë e pasurisë dhe klasifikimi i drejt i shpenzimeve.

“Veprime specifike duhet të ndërmerren për t’i adresuar shkaqet në mënyrë sistematike për të siguruar vlerësimin e saktë të pasurive kapitale. Gjithashtu, Kryetari duhet të siguroj se janë vendosur procese efektive për të konfirmuar që plani i hartimit të PFV-ve për vitin 2019 i adreson të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pajtueshmërinë. Kjo, gjithashtu duhet të përfshijë rishikimin e PFV-ve nga menaxhmenti, me fokus të veçantë në fushat me rrezik të lartë dhe/ose fushat ku janë identifikuar gabime në vitet e mëparshme”, thuhet midis të tjerash në këtë raport.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme