Bojkoti i mësimit në Kamenicë vlerësohet si shkelje e të drejtave të fëmijëve

Leonita Bajrami 16 February 2020 23:10

Është bërë java e katërt që në disa shkolla të Kamenicës nuk po zhvillohet procesi mësimor.

Kjo për shkak që prindërit po kundërshtojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla, siç është përcaktuar me reformën e nisur në këtë komunë, raporton KTV.

Kjo po konsiderohet shkelje e të drejtave të fëmijëve.

Sipas Klevis Vaqarit nga KOMF, as ligjet nuk po përfillen sepse, sipas saj, janë rreth 300 fëmijë që për një muaj nuk po e vijojnë mësimin në Kamenicë.

Ndërkaq, kërkon nga institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt.

E kjo reformë, sipas njohësve të arsimit, e ka dëmtuar të gjithë procesin mësimor në Komunën e Kamenicës.

Në një përgjigje të shkruar, ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka thënë janë duke punuar që të gjejnë një zgjidhje për problemin.

“Ne dje jemi takuar me kryetarin e Komunës së Kamenicës, me Këshillin e prindërve atje, me zyrtarë të tjerë dhe jemi duke e analizuar gjendjen. Po shikojmë edhe kornizën ligjore. Është për të ardhur keq që nxënësit po humbin kaq shumë orë mësimore, por shumë shpejt kjo gjendje do të zgjidhet dhe për gjitha masat që marrim do të dalim me një komunikatë”, ka thënë Bajrami.

Për moszhvillimin e procesit mësimor, Komuna e Kamenicës ka paditur në gjykatë 23 prindër, të cilët mbajnë edhe poste të ndryshme publike në këtë komunë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme