Katër të nominuar për kryetar të Podujevës e asnjë zyrtarizim Në foto: Nexhmi Rudari (majtas) - Shpejtim Bulliqi

Katër të nominuar për kryetar të Podujevës e asnjë zyrtarizim

Nexhat Tovërlani Nexhat Tovërlani 16 February 2020 19:36

Katër parti politike kanë nominuar kandidatët e tyre për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 15 mars. Ndërkohë, që asnjë prej tyre ende nuk e ka zyrtarizuar këtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati i fundit kur mund të aplikojnë partitë politikë është dita e hënë.

LDK-ja e ka nominuar anëtarin e Kryesisë së kësaj partie dhe njëherit nënkryetar i Komunës, Nexhmi Rudarin, Vetëvendosje është përcaktuar që të garojë me ish-zyrtarin e LDK-së, Shpejtim Bulliqi, tash deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Nisma për Kosovën e ka nominuar kryetarin e Degës së kësaj partie, Xhemajl Hasanin dhe Organizata e Ballit Kombëtar Demokrat (OBKD), Gazmend Islamin. Megjithatë, për këtë të fundit ende nuk dihet nëse emri i tij do të shkojë në KQZ, pasi zyrtarët e saj kanë thënë se në momentin e fundit mund të ketë ndonjë koalicion me partitë e mëdha në këtë komunë.

Në KQZ nuk kanë aplikuar as tri partitë tjera. Nominimi i Rudarit të LDK-së dhe i Hasanit të Nismas është bërë të shtunën.

“Në mbledhje e kryesisë së Degës së LDK në Podujevë unë jam nominuar me votë unanime të kryesisë për kandidat për kryetar”, ka thënë shkurt për Kohën Ditore Nexhmi Rudari.

Edhe kryetari i Degës së Nismës për Kosovën në Podujevë, Xhemajl Hasani, ka thënë se Dega e ka nominuar për kryetar të Komunës Dega në Podujevë, por ende nuk kanë aplikuar në KQZ. “Të shohim, nesër besoj duhet me u kry kjo punë, pasi që është afati i fundit për aplikim”, ka thënë Hasani.

Ndërkohë, në Vetëvendosje e kanë nominuar Shpejtim Bulliqin për kryetar të Podujevës nëpërmjet një procesi të votimit që është bërë gjatë ditës së diel. Në një njoftim të kësaj partie thuhet se kandidatura e Bulliqit është zgjedhur pasi ka marrë 95.76% të votave nga anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje.

Partitë që ende nuk janë përcaktuar për kandidatët me të cilën do të garojnë për kryetar të Komunës së Podujevës janë PDK-ja e AAK-ja. Kryetari i Degës së PDK-së, Naim Fetahu, ka thënë javën që shkoi se janë duke diskutuar në strukturat e partisë për të marrë një vendim për kandidatin për kryetar të Komunës së Podujevës dhe se këtë do ta bëjnë brenda afateve kohore të parapara me Ligjin për zgjedhjet. Ndërkohë, kryetarja e Degës së AAK-së, Mrikë Thaçi ka thënë se të premten do të vendosin për kandidatin ose si do të veprojnë në këto zgjedhje. Por, të dielën ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Qytetarët e Podujevës do t’u drejtohen kutive të votimit më 15 mars për të zgjedhur kryetarin e kësaj komune, pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Agim Veliu. Presidenti Hashim Thaçi, i ka shpallur zgjedhjet në Podujevës të dielën e tretë të muajit mars, pasi Veliu është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë Kurti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme