Arbëri

Veliu: Llapjanëve ua ofruam kandidatin më të mirë për kryetar, Rudarin

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili është edhe ushtrues i detyrës së kryetarit, është i nominuari i LDK-së për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 15 mars.

Ish-kryetari i kësaj komune Agim Veliu, tash ministër i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, përmes facebookut veçse ka nisë t’i japë mbështetje Rudarit.

“Komunikimin me ju po e filloj me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes dhe falënderimit për besimin dhe mbështetjen e gjithsecilit prej jush gjatë gjithë rrugëtimit tim politik, i cili u përcoll me sfida të mëdha, por që me përkrahjen tuaj gjithmonë ia dolëm. Kështu do të vazhdojmë edhe tash e tutje, edhe pse unë kam marrë një detyrë tjetër me vullnetin për t’i shërbyer interesit të vendit, por edhe për ta fuqizuar kontributin e Llapit në shtetndërtimin e Kosovës”, shkruan Veliu.

Tashmë, shkruan Veliu, jemi në një situatë të re.

“Podujeva do të mbajë zgjedhje për kryetar të Komunës. Ne, si degë e fuqishme dhe e organizuar mirë, ua kemi ofruar qytetarëve llapjanë kandidatin tonë më të mirë, anëtarin e Kryesisë se Degës për disa mandate dhe nënkryetarin aktual të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudarin”, shkruan Veliu.

Veliu, ministër në MPB, ka shkruar edhe për përvojën e Rudarit, për të cilin thotë se do të ishte kryetar i suksesshëm i Podujevës.

“Nexhi, krahas përgatitjes akademike ka një përvojë të jashtëzakonshme në pushtetin qendror e lokal dhe pa asnjë dyshim do të jetë kryetar i suksesshëm i Podujevës. Kandidimi i tij erdhi pas diskutimeve konstruktive në struktura dhe me një votim unanim të kryesisë së LDK-së në Podujevë. Kandidati ynë pa dilemë do të jetë Kryetari i ardhshëm i Podujevës. Prandaj, ftoj të gjithë veprimtarët e LDK-së, anëtarësinë dhe simpatizantët, të gjithë qytetarët e Podujevës që në këtë proces ta mbështesin LDK-në dhe kandidatin tonë për kryetar, duke e mbajtur të pamposhtur subjektin tonë politik në Llap. Si gjithmonë do të jemi së bashku në këtë proces dhe ato që vijnë pas tij. Na priftë e mbara! Vazhdojmë!”, përfundon Veliu.