Arbëri

Ec Ma Ndryshe kërkon zbatim të ligjit urbanistik në Prizren

Foto: Koha

Organizata Ec Ma Ndryshe thotë se në vazhdimësi ka kërkuar unifikimin e veprimeve të institucioneve lokale dhe atyre qendrore për zbatim të ligjit në rend urbanistik në Prizren, por se një kërkesë e tillë është duke u shpërfillur nga autoritetet përkatëse.

Kjo organizatë thotë se praktika e mos koordinimit ndërinstitucional, sikurse edhe mos unifikimi i procedurave mes tyre, po krijon rrethana të pafavorshme për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë qytet.

Sipas tyre, Komuna e Prizrenit me 13 shkurt 2020 ka publikuar informatën për publikun lidhur me projektin e kompleksit afarist-banesor në ish fabrikën e Farmakosit ku në afërsi ditë më parë është djegur “Ndërtesa Austriake”.

Ata thonë se komuna ka njoftuar se pas vendimmarrjes së MKRS-së, DUPH-ja më 22.11.2019 kishte refuzuar kërkesën e investitorit për ndërtimin e objektit disa katësh, derisa MMPH-ja më 10.01.2020 ka marrë vendim që ta shpallë të paligjshëm aktvendimin e Drejtorisë. “Djegia e ndërtesës në lokacionin ku parashihet ky projekt nuk e ndryshon qëndrimin e Komunës dhe në vijim do të shikohen mundësitë ligjore që të kundërshtohet vendimi i MMPH-së”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Një praktikë e ngjashme ka ndodhur edhe me kërkesën e një investitori tjetër për ndërtimin e objektit për banim kolektiv në rrugën ‘Rifat Krasniqi’ në Prizren.

Sipas tyre, QRTK-ja në Prizren me 01.10.2019 ka lëshuar vendim për refuzimin e kërkesës për ndërtimin e këtij objekti, për arsye se:

-Parcelat për të cilat është parashtruar kërkesa gjenden në Zonën e Dytë të Mbrojtjes, sipas Planit të përgjithshëm të Prizrenit, ku lartësia e lejuar për këtë zonë është P+2;

-Parcelat për të cilat është parashtruar kërkesa gjenden në kufirin verior të Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht brenda rrezes 100 metra;

-Në këtë zonë gjenden disa shtëpi të vjetra tradicionale me etazhitet P+0 dhe P+1;

-Ndërtimi i një objekti kolektiv me etazhitet 2B+S+P+3+NK do të ndikonte negativisht në strukturën urbane të lagjes dhe do të degradonte vlerat ambientale të kësaj zone.

Bazuar në këtë vendim, EC Ma Ndryshe thotë se DUPH me datë 09.10.2019 ka nxjerrë aktvendimin për refuzimin e kërkesës së investitorit.

“Mirëpo MMPH-ja më 24.10.2019 ka nxjerrë vendim që të aprovohet si e bazuar ankesa e investitorit dhe ka anuluar aktvendimin e DUPH-së dhe vendimin e QRTK-së, duke detyruar DUPH-në që të veproj sipas kërkesës së investitorit konform dispozitave të Ligjit për Ndërtim. Pas kësaj, DUPH-ja me 24.01.2020 merr vendim për lëshimin e lejes ndërtimore për objektin e banimit kolektiv”, thuhet në njoftim.

EC Ma Ndryshe përkujton se disa herë ka bërë thirrje publike që Institucionet e nivelit lokal dhe qendror t’i unifikojnë veprimet për zbatim të ligjit dhe rend urbanistik në Prizren.

“Prandaj EC-i, përsëri i bën thirrje Komunës së Prizrenit, si dhe ministrive përkatëse në Qeverinë e re të Kosovës, që të ndërmarrin nisma për bashkërendimin e veprimeve me qëllim të vënies së rregullit urbanistik dhe zbatimit të tërë legjislacionit në fuqi, pa e veçuar vetëm një ligj të caktuar. Të dyja nivelet e qeverisjes duhet të bëjnë përpjekje për respektimin e legjislacionit në tërësi, unifikimin e procedurave dhe koordinim më të mirë, me qëllim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore dhe interesit publik në Prizren”, thuhet në njoftim.