Arbëri

Skenderaj, certifikohen 28 të rinj në fushën e dizajnit grafik

28 të rinj në Skenderaj janë certifikuar në fushën e dizajnit grafik, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për të rinjtë e Skenderajt që kanë ndjekur trajnimin për dizajn grafik, realizuar nga Komuna në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Rajonal–Veri dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me këtë rast Jashari iu uroi suksese të mëtutjeshme të rinjve në rrugën e praktikimit të njohurive që kanë marrë gjatë këtij trajnimi.

“Orientimi i të rinjve ne fushën e përgatitjes profesionale i siguron atyre punësim më të shpejtë dhe po ashtu krijon mundësi te vetëpunësimit si dhe të hapjes së bizneseve të vogla në komunën tonë”, tha Kryetari Jashari.

Ai po ashtu deklaroi se komuna që ai drejton së bashku me donatorët ndërkombëtarë, në mesin e tyre organizatën “HELP”, kanë përkrahur e do të përkrahin idetë inovative të të rinjve përmes granteve që do të ndajnë edhe këtë vit.

Ai në fund falënderoi qeverinë qendrore për financimin e këtij projekti, për bashkëpunimin dhe përkrahjen dhënë komunës së Skenderajt dhe të rinjve në përgjithësi.