Arbëri

Opozita e qytetarët në Shtërpcë ankohen për zvarritjen e disa projekteve rrugore

Foto: Koha

Subjekti opozitar Nisma Socialdemokrate, dega në Shtërpcë, dhe qytetarët e kësaj komune janë ankuar se projekti i rrugës Brezovicë-Qendra e skijimit dhe pjesa tjetër e rrugës në drejtim të Bajnicës prej disa muajsh po zvarritet pa ndonjë arsyeje konkrete.

Ndërkaq, në kuadër të këtyre projekteve përfshihet edhe asfaltimi i rrugës Brezovicë-Shtërpcë-Drajkovc, në vlerë prej rreth katër milionë eurosh me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës. Sipas vizitorëve në Qendrën e skijimit, rruga kryesore është e degraduar dhe po e vështirëson qarkullimin e automjeteve.

Edhe zyrtarët komunalë në Shtërpcë kanë thënë se asfaltimi i këtyre rrugëve është mjaft e rëndësishme, mirëpo për shkak të kushteve atmosferike ato janë ndërprerë në fund të vitit të kaluar, raporton Koha Ditore.

Image

Rifat Rrustemi, këshilltar në KK të Shtërpcës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, ka thënë se komuna duhet të angazhohej më shumë për finalizimin e këtyre projekteve rrugore.

“Punimet në këto rrugë po zvarriten prej disa muajve pa ndonjë arsyeje konkrete, në anën tjetër vizitorët në Qendrën e skijimit po ankohen se rruga është e degraduar. Po ashtu punimet po zvarriten edhe në projektet e tjera, të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës. Në këto raste komuna duhet t’i bëjë presion institucional nivelit qendror, sepse interesi është i përgjithshëm”, ka thënë Rrustemi. “Qendra e skijimit sikurse edhe vjetëve tjera ka mjaftë shumë vizitorë, andaj të gjitha mjetet po vazhdojnë të grumbullohen nga strukturat paralele. Sidoqoftë, rruga e degraduar në këtë pjesë është shumë shqetësuese, sepse po e vështirëson qarkullimin e automjeteve”, ka shtuar ai.

Qerim Hasani, vizitor në Qendrën e skijimit në Brezovicë, ka thënë se rruga kryesore është degraduar, ndërkohë po vështirësohej qarkullimi. Sipas tij, duhet të krijohen kushte më të mira për vizitorë në këtë qendër.

Ministri e Infrastrukturës gjatë së premtes nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës rreth kësaj çështje.

Ndërkaq, Fikri Hasani, nënkryetar i Komunës së Shtërpcës , ka thënë se Ministria e Infrastrukturës është duke investuar katër milionë euro për një projekt, i cili përfshinë disa akse rrugore. Sipas tij, në kuadër të kësaj përfshihet edhe rruga Brezovicë-Qendra e skijimit.

“Vitin e kaluar Ministria ka filluar edhe ndërtimin e rrugës prej Brezovices deri në Drajkovc afër Shtërpcës. Në këtë aks ka përfunduar asfaltimi, ndërkohë po presim që të vazhdojnë punimet edhe nga Qendra e skijimit. Kemi informacione se punimet janë ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike, mirëpo po besojmë se në pranverë do të rifillojnë. Ndërkohë së bashku me komunën e Kaçanikut jemi duke planifikuar asfaltimin e një rruge dytësore përgjatë lumit Lepenc, e cila lehtëson qarkullimin e qytetarëve”, ka thënë Hasani.