Arbëri

LDK-ja në Ferizaj e cilëson të jashtëligjshme procedurën për dhënien e subvencioneve në bujqësi

Komuna e Ferizajt nëpërmjet një njoftimi i ka bërë thirrje fermerëve kultivues që të aplikojnë për subvencione në këmbim të fidaneve për perime. Sipas komunës fermerët përfitues të fidaneve, mund të furnizohen vetë nga ndonjë prodhues ndërkohë kompensimin do ta bën komuna në bazë të faturave.

Kjo çështje ka nxitur reagimin e subjektit më të madh opozitar LDK-së dega në Ferizaj duke e cilësuar si shkelje ligjore vendimin e komunës. Nëpërmjet një komunikate për medie, të mërkurën, ky subjekt ka akuzuar ekzekutivin komunal për keqmenaxhim të subvencioneve në sektorin e bujqësisë. Sipas LDK-së, Komuna ka shpallur njoftimin për fermerët që të aplikojnë për furnizimin me fidane të perimeve për të gjithë ata fermerë që merren me kultivimin e perimeve në serra të mbyllura, raporton Koha Ditore.

“Sipas këtij njoftimi, janë paraparë 60 mijë fidanë me çmimin prej 0.25 euro për një copë e që në total del projekti në vlerë prej 15 mijë euro. Në bazë të Ligjit Nr.04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, neni 19, pika 2.1, 2.2. dhe pika 3 tregon qartë se për çdo projekt që kalon vlerën mbi një mijë eurosh duhet të shpallet tender publik. Ndërkaq, ky projekt ka vlerën 15 mijë eurosh, por nuk është shpallur tender, sepse këta pushtetarë në Ferizaj vetë po e bëjnë ligjin”, thuhet midis të tjerash në komunikatën e LDK-së.

Ismet Vranovci, anëtar i kryesisë së LDK-së në Ferizaj, ka thënë se nga njoftimi i komunës shihet qartë se drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Ferizaj nuk ka shpallur tender publik, por përfituesit e mundshëm të fidaneve të furnizohen vetë (sipas dëshirës së tyre) nga ndonjë prodhues i fidaneve, ndërkaq kompensimin ta bëjë kjo drejtori nëse fermeri e dëshmon kuponin fiskal dhe fletëpagesën.

“Në këtë rast vlerësojmë se drejtori komunal i Bujqësisë me këtë veprim ka bërë shkelje të ligjit të Prokurimit Publik nr.04/L-042, konkretisht nenin 19, piken 2.1. 2.2. dhe piken 3 të këtij ligji. Pastaj, ka eliminuar konkurrencën e lirë të operatorëve ekonomik (në kundërshtim me ligjin), ka lënë përshtypje të keq përdorimeve të ndryshme nga ana e drejtorit ose dikujt tjetër, ka caktuar çmim fiks 0.25 euro për një copë fidan (në kundërshtim me ligjin) dhe ka maltretuar fermerët duke kërkuar prodhues të fidaneve”, ka akuzuar Vranovci. Sipas tij, dega e LDK-së në Ferizaj fton kryetarin e komunës Agim Aliu dhe drejtorin e Bujqësisë Burim Bajrami që të zbatojnë ligjet në fuqi, ndërkaq fermerëve t’i mundësohet qasje më të lehtë për përfitime të subvencioneve. “Dega e LDK-së në Ferizaj gjithmonë ka qenë dhe është në përkrahje të fermerëve ferizajas, duke respektuar të gjitha ligjet në fuqi. Dega e LDK-së në Ferizaj me shqetësim të madh është duke i përcjellë të gjitha veprimet (antiligjore) të çdo drejtorie dhe për çdo veprim antiligjor do të njoftojë opinionin. Pra, kërkojmë që paraja publike të shpenzohet konform ligjeve në fuqi, e jo sipas tekeve të zyrtarëve komunal, sikur ato mjete të jenë nga xhepi i tyre”, ka kritikuar Vranovci.

Nga ana tjetër Burim Bajrami, drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në komunën e Ferizajt ka thënë se opozita lokale çdo ditë po shpërfaq destruktivitetin e injorancën në fushat profesionale. Sipas tij, ndarja e subvencioneve bëhet përmes Rregullores Komunale në fuqi për subvencionet dhe në bazë të vendimit të Kryetarit të Komunës.

“Kjo rregullore, në nenin 21, paragrafi 1 dhe neni 22 paraqesin formën e ndarjes së subvencioneve. Sa për analizën “shteruese” të opozitës vlen të themi se për këtë procedurë të ndarjes së subvencioneve, nuk është zbatuar ligji për prokurimin publik, çka rrjedhimisht rrëzon përtokë pohimin se është shkelur ky ligj nga “komisioni i padijes”. Edhe për konkurrencën e lirë, është pikërisht e kundërta. Është njoftimi i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, që përmes vullnetit të lirë të të gjithë aplikantëve, bujqve e fermerëve, të zgjedhin produktin e tyre, pa u kufizuar në një operator të caktuar ekonomik”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, konkurrenca e lirë merr frymë vetëm në këtë mënyrë, pa u kufizuar në procedura të mundimshme e krejt të panevojshme për bujqit. “Sa i përket çmimit, prapë hasim në “moskuptim” e “lexim të zhdrejtë” të “komisionit për burokraci në bujqësi” nga opozita (LDK). Njoftimi i komunës qartë thotë se “përfituesve do t’u pranohen nga 4 fidane me çmim maksimumi prej 0.25 euro për 1 fidan”. Pra qartë kuptohet se është përcaktuar kufiri më i lartë e jo fiksimi i çmimit për fidan”, ka sqaruar Bajrami. Sipas tij, kjo opozitë derisa ishte në qeverisje është mësuar të shpërndajnë subvencione me lista të gatshme mbi bazë të ngjyrimeve politike e familjare. “Transparenca dhe llogaridhënia, emrat e mbiemrat publik të secilit nga përfituesit, rritja si asnjëherë më parë e llojllojshmërisë së subvencioneve e kulturave bujqësore, investimet kapitale në këtë sektor, njoftimet me kohë e lehtësimi i procedurave për përfitimin e subvencioneve janë vetëm disa nga ndryshimet që çdo fermerë e ka përjetuar tash e dy vjet në Ferizaj”, ka thënë Bajrami.

{gallery}