Prej disa muajsh vendbanimet e Lipjanit pa përfaqësues legjitim

Prej disa muajsh vendbanimet e Lipjanit pa përfaqësues legjitim

Agim Ademi Agim Ademi 24 January 2020 10:18

Prej disa muajsh banorët e fshatrave dhe lagjeve urbane të komunës së Lipjanit kanë mbetur pa përfaqësues të tyre legjitim pasi që atyre i ka kaluar mandati. Ndërkohë procesi për t’i shpallur këto zgjedhje nëpër vendbanime dhe lagje urbane po vazhdon të zvarritet.

Zgjedhjet e këshillave dhe përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane e parasheh edhe ligji për vetëqeverisje lokale dhe udhëzimi administrativ i ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nr. 02/2019 për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane. Po ashtu një gjë të tillë tashmë e parasheh edhe rregullorja komunale për bashkëpunim me fshatra dhe lagje urbane e cila është miratuar disa muaj më parë nga Kuvendi Komunal i Lipjanit me shumicë të votave. Ndërkohë komuna ka formuar edhe një komision të përbërë nga subjektet politike në KK, mirëpo proceset zgjedhore nëpër fshatra ende nuk kanë filluar.

Lumturie Bytyqi- Hasani, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e PDK-së, njëherësh anëtare e komisionit për zgjedhjet e përfaqësuesve të fshatrave dhe lagjeve urbane, ka thënë se fatkeqësisht ka disa muaj që këshillat e fshatrave janë pa mandat pasi që tashmë mandati i tyre ka përfunduar dhe ende nuk kanë filluar as me përgatitjet fillestare për të filluar zgjedhjen e këshillave të reja të fshatrave dhe lokaliteteve tjera.

Sipas saj, Kuvendi i Komunës së Lipjanit ka aprovuar një Rregullore e cila është bazuar në Udhëzimin Administrativ të MAPL për zgjedhjen e këtyre këshillave. “Po ashtu Kuvendi ka formuar edhe komisionin, në të cilin jam edhe unë si anëtare e Kuvendit nga PDK-ja, por ne si komision ende nuk kemi arrit të bëjmë përgatitjet e para për të nisur këtë proces. Në bazë të Rregullores, procesi duhet të filloj nga 1 janar deri 31 mars, mirëpo ende nuk ka filluar.

Mirëpo, Komuna nuk është dashtë të pres 1 janarin për të filluar zgjedhjet sepse tashmë ka shumë kohë që i’u ka dalë mandati atyre, andaj zvarritja e procesit të këtyre zgjedhjeve është në dëm të lokaliteteve”, ka thënë Hasani. Sipas saj, disa komuna të tjera nuk e kanë pritur këtë afat të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ, por i kanë zgjedhë këshillat e reja menjëherë pas përfundimit të mandatit të këshillave paraprake.

Albulena Kelmendi, këshilltare në KK të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se rreth dy muaj më parë, Kuvendi Komunal i Lipjanit ka miratuar propozimin e Kryetarit të komunës së Lipjanit për formimin e një komisioni për vlerësimin dhe zgjedhjen e këshillave të bashkësive lokale.

Sipas saj, këshillat e bashkësive lokale duhet të jenë parimore dhe objektivë derisa konsiderohen si mjeti i parë i banorëve të fshatrave për adresimin e kërkesave e shqetësimeve. Prandaj, sipas saj, përveç që kryesitë aktuale të këshillave të bashkësive lokale nuk kanë më legjitimitet, shumë prej tyre janë edhe të nënshtrueshëm ndaj pushtetit, e si rrjedhojë nuk bëjnë adresimin e kërkesave të banorëve të fshatrave për tek ekzekutivi.

Ramiz Qeriqi, kuvendar nga radhët e AAK-së, ka bërë me dije se shpeshherë pranon kërkesa dhe shqetësime nga qytetarët për t’ia adresuar ekzekutivit si pasojë e mungesës së këshillave dhe kryetarëve të fshatrave. Ai sqaron se në secilën seancë e gjithë debatin ia kushton interesit qytetar me qëllim të përmirësimit të jetesës së tyre.

Nga ana tjetër Avni Olluri drejtor i Administratës në Komunën e Lipjanit ka thënë se aktualisht fshatrat nuk i kanë të legjitimuar përfaqësuesit e tyre pasi që mandati u ka kaluar disa muaj më parë. Sipas tij, komisioni është duke i bërë përgatitjet për ta filluar një proces të ri zgjedhor i cili do të përfundoi deri në fund të muajit mars të këtij vitit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme