Shtimja me projekt të veçantë për përkujdesje sociale ndaj të moshuarve që jetojnë të vetëm

Shtimja me projekt të veçantë për përkujdesje sociale ndaj të moshuarve që jetojnë të vetëm

Agim Ademi Agim Ademi 23 January 2020 17:06

Komuna e Shtimes për herë të parë në Kosovë ka nisë një projekt të veçantë për t’u kujdesur për pensionistët dhe të moshuarit të cilët nuk kanë ndonjë përkujdesje familjare.

Në kuadër të këtij projekti, kjo komunë ka organizuar pastrimin higjienik të shtëpive të moshuarve që jetojnë të vetëm, pastaj pastrimin e rrobave të tyre, veshmbathje, shërbime shëndetësore, barna të ndryshme mjekësore etj.

Këto shërbime po realizohen dy herë gjatë javës, ndërkohë komuna është në proces të avancimit të projektit duke synuar ta kontraktoi një kompani për t’ia siguruar edhe shujtat ditore këtyre dhjetëra familjeve, shkruan Koha Ditore.

Gjatë së premtes, zyrtarët komunal të Shtimes kanë vizituar disa nga këto familje për të parë për së afërmi këto shërbime.

Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes, ka thënë se në pjesën tjetër të këtij projekti kanë bashkuar investimet me “Caritas Kosova” për t’i kryer edhe shërbimet shëndetësore tek këto familje. Sipas tij, shërbimet realizohen disa herë gjatë javës me qëllim që të moshuarve që jetojnë të vetëm nëpër shtëpitë e tyre dhe që nuk kanë ndonjë përkujdesje tjetër familje t’ia përmirësojnë mirëqenien sociale.

“Është shërbim që ne i ofrojmë komunitetit të cilët kanë nevojë qoftë për shkak të moshës, qoftë për shkak të sëmundjes kronike që nuk mund të lëvizin. Pra, ne po ofrojmë shërbime në fushën e mirëqenies sociale që në këtë rast i kemi dhjetëra familje që interesohemi në kuptimin e pastrimit të ambienteve të tyre të shtëpive, për veshmbathjeve dhe planifikojmë që shërbimin ta avancojmë për këto familje edhe me ushqim ditor sepse janë familje që nuk kanë përkujdesje nga askush. Pra, këta të moshuar nuk mund të jenë nëpër shtëpia rezidenciale sepse i kanë shtëpitë e tyre, mirëpo për shkak të moshës apo të nevojës së veçantë ata nuk mund të kujdesen as për veten e tyre”, ka thënë Ismajli.

Sipas tij, përveç kësaj në pjesën tjetër të projektit bashkë me “Caritas”-in kanë organizuar edhe ekipin mobil të mjekëve të shoqëruar bashkë me infermier për t’ia dhënë shërbimet mjekësore kësaj kategorie të komunitetit.

“Është shërbim që ne i ofrojmë komunitetit të cilit kanë nevojë qoftë për shkak të moshës, apo sëmundjes kronike që nuk mund të lëvizin. Pra do të vazhdojmë edhe në të ardhmen t’i bëjmë vizitat shëndetësore në këto familje bashkë me terapinë e mundshme. Në këto familje diku jetojnë dy pleq (burrë dhe grua) që nuk kanë familjarë të tjerë, diku vetëm një burrë apo grua që nuk kanë asnjë përkujdesje nga askush. Pra ky është një projekt i cili nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë”, ka thënë Ismajli.

Nga ana tjetër, Hysni Hysenaj 78 vjeçar nga fshati Petrovë në komunën e Shtimes, ka thënë se gjatë periudhës së fundit kohore është përmirësuar mirëqenia sociale derisa institucionet publike po kujdesen për pastrimin e shtëpisë së tij, pastrimin e rrobave dhe për shërbimet mjekësore.

“Para pak minutave erdhi në oborr ambulanca mjekësore për ta kontrolluar bashkëshorten time të sëmurë dhe mua i sollën disa barna të nevojshme. Komuna po na ndihmon, sidomos kur nuk po kemi ushqim po na sjellin disa paketa me sende të ndryshme ushqimore. Shtëpinë po na pastrojnë, rrobat po na pastrojnë po shpresojmë edhe ushqimin të na sjellin çdo dit siç kanë premtuar zyrtarët e komunës sepse ne nuk po mundemi të përgatisim ushqim”, ka thënë Hysenaj.

Ai bën me dije se me një pension të vjetërsisë është e vështirë të mbijetojnë, ndërkohë ka kërkuar nga komuna të angazhohej për t’ia rinovuar shtëpinë e cila është e stërvjetruar.

“Shtëpinë po na pastrojnë, mirëpo kjo është shumë e vjetër. Dy dhoma nuk i kemi në përdorim për shkak të lagështisë, mirëpo sikur të kishte mundësi komuna të na rinovoi do të ishte shumë mirë për neve sepse për këtë kemi kërkuar disa herë. Bashkëshortja ime është e sëmurë dhe nuk merr social, mirëpo pasi që barnat po i marrin pa para po ja dalim disi”, ka shtuar Hysenaj.

Labinot Beqa, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Shtimes ka deklaruar se përveç barnave esenciale që furnizohen nga niveli qendror, komuna e Shtimes për çdo vjet ndaj mbi 10 mijë euro për këtë kategori në mënyrë që të paktën pacientët me sëmundje urgjente mos të mbesin pa barna.

“Si komunë kemi identifikuar dhjetëra familje dhe dhjetëra pacient me sëmundje kronike të cilët nuk kanë mundësi të blejnë barna për shkak të gjendjes së rënd ekonomike. Ne si komunë për çdo vjet kërkojmë që lista esenciale të plotësohet 100 për qind nga niveli qendror, mirëpo asnjëherë nuk ka ndodhur, ndërkohë për çdo vjet ne e ndajmë nga një pjesë të buxhetit vetjak për t’i dalë në ndihmë komunitetit nevojtarë”, ka thënë Beqa.

Ai ka shtuar se gjatë së premtes, së bashku me stafin e tij, ka vizituar disa familje ndaj të cilave komuna ofron shërbime të kujdesit social.

“Aktualisht jemi te familja Hysenaj për të parë nga afër se sa është i kënaqur ky qift bashkëshortor megjithëse të shtyrë në moshë, për shërbimet higjienike dhe shërbimet mjekësore që i ofron komuna. Po vërehet se shtëpia i është pastruar së bashku me rrobat e tyre, ndërkaq zotohem se do të bëjmë përpjekje maksimale që kësaj familje t’ia rinovojmë edhe ambientin e brendshëm të shtëpisë”, ka shtuar Beqa.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme