Kosovë

Gjilani dhe Parteshi pa marrëveshje për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës

Gjilani dhe Parteshi pa marrëveshje për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës

Gjilani dhe Parteshi nuk kanë arritur marrëveshje për zhvillimin e projektit ndërkomunal për ndërtimin e Rrugës së Kumanovës, e cila shtrihet në zonat kadastrale të këtyre dy komunave. Ndonëse mungon marrëveshja, pushteti komunal i Gjilanit është duke e zhvilluar këtë projekt. Tashmë ajo ka angazhuar një kompani, e cila ka për detyrë të përgatitë elaboratin e shpronësimeve për nevojat e ndërtimit të rrugës.

Me këtë projekt synohet lidhja e qytetit të Gjilanit me fshatin Zhegër dhe nëpërmjet saj me kalimin kufitar në Stançiq. Drejtori komunal i Kadastrës në Gjilan, Salih Fazliu, ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të bartë barrën financiare për shpronësimet që do të realizohen. Ai thotë se me qeverisjen komunale të Parteshit janë duke tentuar që të kenë marrëveshje.