Arbëri

Komunat kërkojnë buxhetim të programit për vizitat shëndetësore të cilat realizohen në shtëpi

Stafi shëndetësor të cilët zbatojnë vizitat shëndetësore në komunat e tyre ku trajtohen nënat dhe fëmijët kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë të planifikojë ndarjen e mjeteve financiare çdo vit për këtë program meqë në punën e tyre në shfaqen vështirësi të cilat lidhen me sigurimin e transportit ngase ata nuk posedojnë numër të mjaftueshëm të automjeteve e deri tek shpenzimet e telefonit të cilat mbulohen nga xhepi i infermierëve të cilët janë të angazhuar në këtë program. 

Gjersa mungesa e buxhetit ka ndikuar që programi të realizohet pjesërisht ngase nuk është arritur që të realizohen në numër të mjaftueshëm vizitat shëndetësore nëpër shtëpi të cilat vizita zakonisht janë këshilluese për nënat lehona mirëpo të njëjtën kohë realizohet edhe kontrollet për gjendjen shëndetësore të fëmijës, raporton Koha Ditore.

Qendra Kryesore Familjare në komunën e Vitisë (QKMF) në vitin 2019 ka realizuar gjithsejtë 585 vizita shëndetësore në shtëpi. Me këtë numër të vizitave nuk është i kënaqur vetë personeli, që zbaton këtë program, mirëpo deklarojnë se mungesa e kapaciteteve është shkaktari kryesor për këtë numër të vogël të vizitave.

Kordinatorja e vizitave në terren për nëna dhe fëmijë, Shahadije Zuka deklaron se duhet të bëhet buxhetimi i programit me qëllim që të gjendet zgjidhje për problemet të cilat ata i kanë evidencuar.

”Kemi realizuar 585 vizita, prej tyre 480 fëmijë dhe 105 gra shtatzëna. Çdo fëmijë planifikohet të vizitohet nga mosha 0 deri në 3 vjeç. Mirëpo jemi larg që të realizojmë numrin e vizitave të cilat parashihen. Meqë kemi mungesë të transportit dhe ndodh që caktojmë vizitën në një familje dhe duhet të anulojmë sepse një veturë që kemi në dispozicion shfrytëzohet edhe për shërbime tjera. Drejtoresha e QKMF-së na ka siguruar telefonin me mbushje të cilin e shfrytëzojmë. Ka edhe probleme tjera. Në terren në vizita shtëpiake punojmë çdo muaj deri në 6 infermierë” thotë ajo.

Sipas saj, një pjesë e punës në këtë program e mbulojnë infermierët të cilët gjenden nëpër fshatra. Deklaron se pjesa më e vështirë është mbledhja e informatave, ngase ata nuk kanë repart të gjinekologjisë dhe gratë realizojnë lindjet në spitalet e komunave tjera. Ajo deklaron se mungesa e informatave ndikon që të mos kenë informacione të mjaftueshme për nënat lehona.

“Nuk kemi repart të lindjeve dhe shumë vështirë e kemi të sigurojmë informacione për numrin e grave shtatzëna dhe numrin e lindjeve. Sepse lindjet realizohen në Gjilan, Prishtinë dhe Ferizaj. Mirëpo informatat i marrim gjatë punës tonë në QKMF-ë nga palët e ndryshme. Ministria në të ardhmen duhet të bëjë më shumë punë, sepse është shërbim që paguhet më së shumti. Mirëpo shpresojmë se do të ketë buxhetim nëse do të kemi edhe sigurimet shëndetësore”, ka thënë Zuka.

Kurse kryeinfermierja në QKMF-në komunën e Kamenicës, Nafije Ajvazi deklaron se vizitat shëndetësore në shtëpi kanë pasur ndikim pozitiv, meqë janë këshilluar gratë të cilat janë në prag të lindjes dhe gjithashtu ato janë këshilluar edhe pas lindjes. Ajo deklaron se është e domosdoshme buxhetimi i programit.

“Kemi pasur 574 vizita në shtëpi dhe problemi kryesor e kemi transportin, mandej shpenzimet të cilat krijohen në punën tonë në terren . Ka raste kur infermieret udhëtojnë me kilometra në këmbë, pastaj shpenzojnë mjete për telefon ngase duhet të merremi vesh me familjet të cilat i vizitojmë. Ka nevojë për veshmbathje të stafit dhe aspekte tjera. Sa i përket sigurimit të dhënave nuk kemi problem tek fëmijët sepse i sigurojmë të dhënat nga vaksinimi” ka thënë ajo.

Ndërkaq ish drejtoresha e QKMF-së në komunën e Lipjanit, Vlora Limani-Hajnuni, e cila është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, deklaron se Qeveria duhet të krijojë politika shëndetësore dhe të mbështetet buxhetimi i programit, i cili është i rëndësishëm. “Po sfidat duke filluar nga mentaliteti i një pjese të grave të cilat nuk pranojnë aspektin e këshillimit e deri tek sfidat e transportit për infermierët të cilët duhet të realizojnë vizitat në terren. Zgjidhje e shoh që Ministria e Financave të krijojë një kod të veçantë të buxhetimit për këtë program dhe të gjendet një zgjidhje për formën dhe mënyrën e implementimit. Për komunat të cilat kanë një territor më të vogël nuk është problematik ndoshta implementimi i programit mirëpo për komunat më të mëdha siç është Lipjani është problematik” ka thënë ajo.

Ndërkaq drejtori i QKMF-së në komunën e Kaçanikut, Sinan Zeneli deklaron se ata kanë arritur që të zbatojnë në tërësi këtë program çdo vit meqë kanë një organizim të mirë të punës në terren. Megjithatë deklaron se ka nevojë që të stimulohen infermierët në punën e tyre. “Vitin e kaluar kanë qenë të planifikuar 1 mijë e 372 vizita kurse kemi realizuar 1 mijë e 546 vizita. Kemi arritur të realizojmë planin meqë kemi punuar si grup. Pozitive është puna në terren meqë përveç këshillimit ne njoftohemi për gjendjen e familjeve. Ka pasur raste kur kem zbuluar persona me të meta mentale të cilët nuk janë paraqitur në institucionet publike. Është një program i mirë mirëpo duhet edhe të sigurohen mjetet për stimulim. Sepse ka ndodhur që infermierët të udhëtojnë deri në 4 kilometra në këmbë meqë vetura nuk ka arritur që të ketë qasje në terrenin i cili ka qenë i vështirë” ka thënë ai.