E hëna do të shënojë fillimin e fazës së dytë të reformës arsimore në komunën e Kamenicës.
Në këtë fazë, parashihet që nxënësit e mësimit parashkollor, deri te nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Rexhep Mala” nga Topanica të kalojnë në shkollën “Abdullah Krashnica” të fshatit Koretin.
Ndërsa, nxënësit e ciklit të lartë nga të dyja shkollat, mësimin pritet ta vazhdojnë në shkollën e fshatit Topanicë.
Sipas njoftimit të kryetarit Qëndron Kastrati, në këtë fazë të dytë të reformës pritet përfshirja edhe e nxënësve të fshatit Petrovc, për të cilët u njoftua se do të barten në Dobërçan të Gjilanit, raporton KTV.
E me këtë vendim të kryetarit Kastrati, nuk pajtohen prindër nga ky fshat, që e kundërshtojnë lëvizjen e fëmijëve të tyre nga shkolla e fshatit.
Me reformën arsimore që përfshin zhvendosjen e nxënësve të Petrovcit në Dobërçan, nuk pajtohet as kryetari i këtij fshati.
Ai thotë se shkollën “Xhelal Sopi” e ndërtuan me ndihmën e 250 familjeve të këtushme derisa sipas tij, kryetari i komunës së Kamenicës vendimin e mori krye në vete, edhe përkundër ankesave të banorëve.
Se reforma e arsimit në këtë komunë nuk është zgjidhje dhe ngritëse e cilësisë së arsimit, e thotë edhe Bujar Kryeziu, udhëheqës i nënkomitetit për arsim nga radhët e LVV-së.
Ai tha se faza e riorganizimit nëpër shkolla duhet të jetë hapi i fundit që komuna duhet ta ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kamenicë.
Kryetari Kastrati, fillimin e fazës së dytë të reformës në arsim, e bëri të ditur gjatë së premtes në një konferencë për medie.
Ndërkaq, përmes një shkrese zyrtare, ftoi prindërit që të respektojnë vendimin e komunës dhe që nxënësit të mos mbesin jashtë procesit mësimor.
Reforma në arsim është pritur me protesta nga banorë të Busavatës e Krilevës, të cilët kundërshtuan zhvendosjen, ndërsa shumë shpejt, këtyre dy fshatrave pritet t’u bashkohet edhe Petrovci.
-
11 janar 2020 21:15
-
Shpërndaje në: