Arbëri

Pezullohet ndërtimi i parkingut në oborr të shkollës në Klinë

Dhjetë ditë më parë në hapësirën e oborrit të shkollës fillore “Ismet Rraci” në Klinë kanë nisur punimet për 50 vendparkingje publike. Ato janë paraparë të jenë më pagesë në funksion të prindërve që i sjellin fëmijët në shkollë.

Në Komunë pohojnë se projekti është pezulluar përkohësisht. Ky pezullim ka ndodhur për shkak se ka pasur kundërshtime në këshillin e prindërve dhe të këshillit të arsimtarëve, për ndërtimin e parkingut për shkak të zvogëlimit të oborrit të shkollës, shkruan sot Koha Ditore.

“Arsyeja e parë është se po ngushtohet oborri i shkollës duke penguar ndërtimin e fushave sportive, kopshtin parashkollor, hapësirën për një kopsht botanik, për orë mësimore dhe projekte për një klasë të mësimit të hapur në natyrë”, tregon arsimtari Rexhë Morina, arsyen pse nuk kanë qenë të gjithë të pajtimit në shkollë për ndërtimin e parkingut në hapësirën e oborrit të shkollës.

Morina tregon se kur kishin nisur punimet para 10 ditëve në hapjen e themelit të murit të ri rrethues të shkollës, që do të linte jashtë oborrit pesë metra të oborrit në një gjatësi prej rreth 100 metrash, në shkollë kishin menduar që ka nisur projekti për ndërtimin e fushave sportive të shkollës dhe kopshte. “Ne reaguam që të mos lejohet hyrja në oborrin e shkollës dhe të ndërpriten punimet, të cilat tash u ndaluan”, thotë Morina.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)