Arbëri

Banorët që ecin në këmbë mbi 3 kilometra për ujë të pijshëm

Foto: Koha

Për çdo mëngjes i duhet të ecë në këmbë disa kilometra për t’i mbushur disa shishe me ujë të pijshëm për familjen e tij, pasi që rrjeti i ujësjellësit brenda fshatit prej vitesh nuk funksionon. Ky udhëtim është mjaft i mundimshëm për Agron Hetemin nga fshati Shalë i Komunës së Lipjanit.

Këtë rrugë prej më shumë se tre kilometrave gjatë ditës e përshkojnë edhe mijëra banorë të këtij fshati. Burimet e ujit të pijshëm gjenden në pjesën malore të fshatit me një largësi prej 3 deri në 5 kilometra, shkruan “Koha Ditore”.

Me gjendje të tillë të ujit të pijshëm përballen edhe banorët e fshatit Baicë, Krojmir dhe Resinovc, derisa kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga autoritetet komunale të Lipjanit.

“Si çdo ditë edhe sot erdha për t’i mbushur këto shishe me ujë të pijshëm për familjen, sepse rrjeti i ujësjellësit nuk funksionon prej vitesh. Ky burim është shumë larg fshatit, por duhet ta sigurojmë ujin e pijshëm, sepse puset që i kemi hapur nëpër oborre nuk përdoren për pije”, ka treguar Hetemi.

Ai e mban në krah një çantë të mbushur me tetë shishe të plastikës, të cilat peshojnë afro njëzet litra me ujë. Tregon se gjatë sezonit veror ky rrugëtim mund të bëhej edhe me veturë për shkak se nevojat e familjes për furnizim me ujë janë më të mëdha. Hetemi tregon se fshati ka rreth katër mijë banorë, por që rrjeti i ujësjellësit nuk funksionon prej vitesh si pasojë e dëmtimit të gypave.

“Më 2009 në këtë fshat është vendosur rrjeti i ujësjellësit nga disa donatorë të huaj, pastaj ka funksionuar pak vjet dhe nuk është menaxhuar nga askush. Janë dëmtuar gypat nëpër lagje, pastaj është dëmtuar edhe rezervari i ujit. Pra kërkohet shumë investim për ta riaktivizuar dhe Komuna nuk është kujdesur aq sa duhet”, ka treguar ai.

Edhe bashkëfshatari i tij, Feim Ademi, tregon se duhet të ecin në këmbë apo me karrocë për të marrë ujë të pijshëm në burimin më të afërt në malet e fshatit. Ai thotë se në malet e Shalës ka shumë burime të ujit të pijshëm, andaj banorët i shfrytëzojnë ato për të marrë ujë të freskët për çdo ditë.

“Kemi burime prej 3 kilometrash e deri në pesë kilometra larg fshatit. Ujësjellësi i fshatit nuk funksionon prej vitesh, por që tashmë jemi të obliguar të sigurojmë ujin e pijshëm në këtë mënyrë”, tregon Ademi, duke bërë me dije se banorët nuk kanë mundësi ta blejnë ujin e pijshëm nëpër dyqane. “Uji që shitet nëpër dyqane përveçse nuk është aq i mirë, ai ka edhe një kosto të papërballueshme për neve. Kurse sikur Komuna të investonte në riparimin e rrjetit të ujësjellësit në këtë fshat, për neve do të fillonte një jetë e re, sepse burimet tona të ujit të pijshëm në pjesën malore të fshatit nuk i ka askush tjetër”, ka thënë Ademi.

S’ka mbështetje për ujë

Për vështirësi të tilla tregojnë edhe banorët e fshatit Resinovc. Lulëzim Sinani, përfaqësues i këtij fshati, rrëfen se duhet të ecin më shumë se 3 kilometra për të marrë ujë të pijshëm nga një burim natyror. “Fshati jonë prej vitesh përballemi me mungesë të ujit të pijshëm, pasi që puset tona që i kemi hapur nëpër oborre nuk e mbajnë ujin cilësor. Prandaj shumica e fshatit detyrohemi të furnizohemi me ujë të pijshëm nga burime të tjera. Madje shpeshherë marrim edhe ujë të pijshëm në burimet e Shalës, por edhe në burimet e vrellës në Baicë”, ka deklaruar ai. Sipas Sinanit, banorët e Resinovcit disa herë kanë kërkuar të bëhej një zgjidhje rreth çështjes së ujit të pijshëm, mirëpo asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetje.

“Për ta ndërtuar një rrjet të ujësjellësit dhe për ta furnizuar të gjithë fshatin me ujë të pijshëm kërkohej investim i madh, ndërkaq në fshatin tonë qeverisja lokale nuk përkrahet aq shumë me vota, prandaj ndoshta edhe kjo mund të jetë njëra prej arsyeve që nuk fillojnë investimet”, tregon ai.

Xhemajl Muja, 57-vjeçari nga Baica, tregon se është mjaft e vështirë kur në çezmat e shtëpisë nuk kanë ujë të pijshëm. Ai shpjegon se vrella e këtij fshati ka edhe një burim me ujë të ngrohtë, i cili është i shëndetshëm për organizmin e njeriut. “Është shqetësuese që Baica të mos ketë ujë të pijshëm derisa në pjesën e epërme ka dy burime të mëdha (vrella) me ujë të pijshëm. Në këtë fshat marrin ujë të pijshëm edhe shumë banorë të fshatrave të tjera shkaku i mungesës së ujësjellësit”, shpjegon ai. Sipas tij, në të kaluarën nga këto burime banorët e Baicës kanë siguruar edhe kafshatën e bukës derisa në pjesën e poshtme ka qenë i ndërtuar mulliri i fshatit. “Mulliri i fshatit që ka funksionuar me ujin e këtyre dy burimeve, tashmë nuk ekziston, mirëpo dua të them se këto burime kanë aq sasi të madhe të ujit të pijshëm saqë mund të furnizohen disa fshatra. Nuk e di pse nuk po ndërtohet rrjeti i ujësjellësit në këtë fshat dhe të gjithë banorët të kenë ujë cilësor dhe të mos përballen me vështirësi të tilla për të bartur ujin e pijshëm me karroca dhe në këmbë”, ka thënë Muja.

Uji si ilaç

Ndërkaq një pjesë e banorëve të fshatit Krojmir me buxhet vetjak kanë sjellë në shtëpitë e tyre disa burime nga pjesa malore e fshatit. Rinor Rizani tregon se ka shpenzuar mijëra euro për ta siguruar ujin e pijshëm deri afër shtëpisë së tij.

“Nga pjesa malore e kemi sjellë afër shtëpisë një burim me ujë të pijshëm. Kemi bërë shumë shpenzime, por prapëseprapë ky ujë nuk mjafton për ta furnizuar të gjithë shtëpinë, andaj ne e shfrytëzojmë këtë burim vetëm për pije”, ka thënë ai.

Burimet natyrore në këto shatra malore shpeshherë frekuentohen edhe nga banorët e fshatrave të tjera. Abedin Muja nga fshati Medvec ka thënë se ujin për pije e bart nga burimet natyrore të fshatit Baicë. Sipas tij, ujërat e këtyre viseve malore pastrojnë organizmin e njeriut.

“Ky ujë që ne po e marrim shëron sëmundjet e lukthit, pastaj sikur të kemi mundësi ta përdorim edhe për pastrim është shumë i shëndetshëm për lëkurë. Ne gjithmonë e përdorim këtë ujë, sepse në Baicë e kemi edhe vendlindjen tonë dhe e dimë se çfarë përmban ky ujë i pijshëm”, ka thënë Muja.

Nga ana tjetër, Shefqet Amerllahu, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Lipjanit, njëherësh banor nga fshati Shalë, ka thënë se disa herë e ka përdorur autoritetin për ta sjellë një investim komunal për këto fshatra, mirëpo për shkak të kufizimeve buxhetore nuk është realizuar një projekt i tillë.

“Po ashtu kam provuar disa herë edhe nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që ta bëjmë një investim për ujë të pijshëm në këto fshatra, mirëpo kufizimet buxhetore e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Po shpresojmë se si komunë në të ardhmen do të iniciojmë ndonjë projekt për ta riparuar rrjetin e ujësjellësit në Shalë, më pastaj për të kaluar edhe në disa fshatra të tjera”, ka deklaruar ai.