Arbëri

Në Gjilan pritet të mbillen 15 hektarë me arrë, ndahen fidane për 22 fermerë

Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan ka shpërndarë sot fidane të arrës për fermerët, ku do të mbillen 15 hektarë me këtë kulturë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gjatë shpërndarjes së këtij subvencioni, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, i ka uruar fermerët, ndërkaq ka shprehur zotimin se Komuna edhe në vitin e ardhshëm do të vazhdojë me mbështetjen edhe më të madhe ndaj tyre, me të gjitha kapacitetet.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka shfaqur zotimin se do t’iu qëndrojnë prapa fermerëve për implementimin e plotë të këtij projekti.

“Komuna e Gjilanit i ka dhënë mundësi të mëdha sektorit të pemëtarisë dhe fokusin e mbajtur kryesisht tek kulturat industriale. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga fermerët për mbështetjen në kulturën e arrës. Kemi vlerësuar se komuna jonë ka kushte të mira klimatike dhe tokësore për kultivimin e arrës, e mbi të gjitha, është kulturë e perspektivës, me treg të sigurt”, tha ai.

I pari i bujqësisë në Gjilan ka numëruar rezultatet e punës për këtë vit, duke theksuar se 2019-ta ka qenë vit jashtëzakonisht i suksesshëm për këtë sektor.

“Kemi pasur partneritete me Komisionin Europian, shkollën e agrobiznesit “Arbëria”, e donatorët tjerë në favor të blegtorëve. Kemi subvencionuar plotësisht mbjelljet pranverore dhe vjeshtore dhe kemi bërë përpjekje për t’i selektuar projektet kapitale investive për t’ua lehtësuar punën bujqve”, ka përfunduar Ramadani.