Drejtuesit e konviktit të nxënësve “Gjon Serreçi” kanë kërkuar ndihmën e Komunës së Kamenicës për objektin e vjetruar.
Aktualisht në këtë konvikt janë të regjistruar vetëm 12 nxënës, të cilët vijojnë procesin mësimor në shkollat e kësaj komune.
Drejtuesi i konviktit, Nijazi Kastrati, deklaron se Komuna duhet të ofrojë një zgjidhje qoftë të investojë në rinovimin e objektit ose të gjendet një donator i cili do të financonte ndërtimin e objektit të ri. Thotë se në këtë gjendje që gjendet nuk mund të ofrohen shërbime të duhura për nxënësit të cilët janë të strehuar.
“Konvikti është ndërtuar në vitet ‘80. Dhe nga ajo kohë nuk është investuar asnjë cent në rinovim. Ngrohjen e kemi klasike me dru dhe nxënësit i ndezin vetë koftorët. Mirëpo kemi probleme me nyjat sanitare, por shihet që objekti është i dëmtuar se nga vitet ‘80 nuk ka pasur asnjë investim. Ekspertët kanë deklaruar se konvikti e ka bazamentin e fortë dhe kemi biseduar edhe me nënkryetarin e Komunës, i cili ka deklaruar se objekti do të rrënohet dhe do të fillohet me ndërtimin e objektit të ri, i cili do të jetë donacion. Në konvikt kemi vetëm 12 nxënës dhe shpenzimet e tyre i mbulon Komuna”, ka thënë ai.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)