Me një projekt të realizuar para tetë muajve, Komuna kishte vendosur platforma për këmbësorë në disa vendkalime në dy rrugët me katër korsi, të cilësuara si më të rrezikshmet për këmbësorë brenda në qytetin e Pejës, në rrugën që kalon nëpër lagjet “Xhemajl Kada”, “Fidanishte” dhe “7 Shtatori”, e deri te rrethrrotullimi rrugor afër Shkollës së Mesme Ekonomike, ku lidhen rruga e transitit dhe magjistralet për Mitrovicë dhe Rozhajë, dhe në rrugën që kalon pranë universitetit publik “Haxhi Zeka”, në drejtim të Deçanit.
Vendosjen e një këso platforme për rritjen e sigurisë se nxënësve të saj dhe parandalimin e aksidenteve për shkak të shpejtësisë së pakontrolluar nga shoferët e papërgjegjshëm, kishte pritur shkolla për persona të verbër dhe me dëmtime në të parë “Xheladin Deda”, e cila ndryshe quhet edhe Qendër Burimore për Mësim dhe Këshillim, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo, me atë projekt në vlerë rreth 15 mijë euro, për rritje të sigurisë së këmbësorëve, komuna nuk e ka ndërtuar edhe në vendkalimin për këmbësorë para kësaj shkolle, në të cilin vend nxënësit e verbër sfidojnë jetën çdo ditë dhe çdoherë kur e kalojnë rrugën, pavarësisht kërkesave të panumërta që ia kanë drejtuar Komunës në dhjetë vjetët e fundit për ndërtimin e kësaj infrastrukture të nevojshme për rritjen e sigurisë së nxënësve.
“Ka qenë më e nevojshme tek ne një platformë e tillë për rritjen e sigurisë së lëvizjes së nxënësve tonë jashtë oborrit të shkollës. Gjithandej janë vendosë ato platforma të sigurisë për këmbësorë e këtu para shkollës nuk janë vendosur. Kjo nuk ka aspak logjikë. Ajo platformë ka qenë shumë e përshtatshme para shkollës sonë dhe askund nuk ka pasë vend ma të nevojshëm me e vendosë sikur këtu para shkollës tonë”, ankohet drejtori i kësaj shkolle, Xhavit Kastrati.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)