I zë dimri me rrugë të paasfaltuar, banorët e Komogllavës akuzojnë Komunën për neglizhencë

Leonita Bajrami 07 December 2019 20:22

Moti me shi ka bërë që rruga kryesore e fshatit Komogllavë të Ferizajt, të bëhet vështirë e kalueshme.

Kjo, pasi që punimet në rregullim të infrastrukturës nuk janë kryer me kohë. Tashmë kur edhe janë përkeqësuar kushtet atmosferike, janë shtuar edhe më shumë telashet e banorëve, raporton KTV.

Në drejtorinë e Infrastrukturës në këtë komunë, thonë që deri në pjesën e dytë të muajit, do të përfundohet së paku shtresa e parë e rrugës dhe se fajtore për vonesa është kompania e kontraktuar.

Mirëpo, sipas organizatës joqeveritare AVONET, faj ka edhe komuna, e cila sipas tyre, nuk po i mbikëqyr punimet.

Madje, ata kërkojnë që edhe organet e drejtësisë të ndërhyjnë këtu.

Ky nuk është projekti i vetëm në komunën e Ferizajt që ka ngecur. Edhe rruga në fshatin Dremjak, sipas planit, është dashur të kryhet kohë më parë. Ndërkaq, Komuna e Ferizajt thotë se janë duke i mbikëqyrur punimet e të gjitha projekteve, por që kanë hasur neglizhencë nga kompanitë për të cilat kanë dhënë vërejtje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme