Organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe të hënën ka shprehur qëndrimin se institucione e organizata të ndryshme që veprojnë në Kosovë kanë bërë thirrje për adresimin e problemit të ndotjes së ajrit, duke qenë se kjo sfidë mjedisore paraqet rrezik për shëndetin e popullatës.
Për këtë arsye ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa më efikase kundër ndotjes së ajrit. Kjo organizatë ka sjellë ndërmend gjetjet e Bankës Botërore e të mekanizmave vendorë lidhur me problemin e cilësisë së ajrit, veçanërisht në stinët e vjeshtës dhe të dimrit, shkruan sot Koha Ditore.
“EC Ma Ndryshe gjatë muajve të fundit ka vërejtur se në Komunën e Prizrenit nevojitet të ketë informata më të qarta për publikun lidhur me ndotjen e ajrit dhe matjet që bëhen në këtë drejtim, ani pse Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës publikon në baza ditore të dhënat e monitorimit të cilësisë së ajrit, përfshirë këtu ato nga stacioni në Prizren”, thuhet në komunikatën e EC-it.
OJQ-ja nga Prizreni ka rekomanduar organet shtetërore të nivelit qendror dhe atij lokal që ta njoftojnë publikun e gjerë me kumtesa për cilësinë e ajrit që kuptohen më lehtë, bashkë me rekomandime përkatëse për veprimet që duhet ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre nga ndikimi i ajrit të ndotur.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)