Katër komuna të rajonit të Prizrenit kanë përmirësuar arkëtimin e tatimit në pronë Foto: Ilustrim

Katër komuna të rajonit të Prizrenit kanë përmirësuar arkëtimin e tatimit në pronë

Fisnik Minci 02 December 2019 09:32

Pesë komuna të rajonit të Prizrenit gjatë nëntë muajve të këtij viti kanë arkëtuar më shumë mjete nga tatimi në pronë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Monitoruesit nga shoqëria civile thonë se zbatimi i Ligjit të ri për Tatim në Pronë ka mundësuar arkëtim të përmirësuar në nëntëmujorin e këtij viti, duke qenë se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të faturës për këtë lloj tatimi është 30 shtatori, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në raportin nëntëmujor financiar del se përparimin më të madh në mesin e komunave të rajonit të Prizrenit sipas përqindjes së arkëtimit të krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar e ka arritur Komuna e Rahovecit.

Kjo, në nëntë muajt e këtij viti, ka arkëtuar 0.37 milion euro, apo 32 për qind më shumë mjete në krahasim me vitin e shkuar, kur kishte arkëtuar 0.28 milion euro. Në nëntë muajt e vitit 2017 kjo Komunës kishte arkëtuar 0.25 milion euro.

Pas Rahovecit renditet Komuna e Suharekës. Kjo ka arritur të arkëtojë 0.59 milion euro, ndërkohë që në nëntëmujorin e vitit 2018 kishte arkëtuar 0.49 milion euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2017 kishte mbledhur 0.44 milion euro.

Komuna e Prizrenit në nëntëmujorin e vitit 2019 ka arkëtuar 1.93 milion euro nga tatimi në pronë apo 19 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin arkëtuar 1.62 milionë euro. Ndërsa në nëntëmujorin e vitit 2017, kjo komunë kishte arkëtuar 1.65 milionë euro nga tatimi në pronë, ndërsa Malisheva ka arkëtuar 0.23 milion euro. Kjo shumë është për 10 për qind më e madhe sesa në nëntëmujorin e vitit të shkuar.

Edhe Komuna e Dragashit gjatë nëntë muajve të këtij viti ka arkëtuar 0.15 milionë euro apo 8 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar kur kishte arkëtuar 0.13 milion euro.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme