Komuna e Fushë-Kosovës po përpiqet të gjejë zgjidhje për ndërtimin e një objekti të ri shkollor në partneritet publiko-privat.
Një takim për këtë çështje është mbajtur të mërkurën. Drejtori për Arsim, Islam Shabani, ka thënë se në këtë takim është përpjekur të gjendet lokacioni, në të cilën një investitor ka ofruar një parcelë në dispozicion, shkruan sot Koha Ditore.
“Me gjasë ne e kemi një parcelë tonën dhe krejt ajo me u ba diku 25 ari sipërfaqe. Po është në mezhdë. Edhe shumica, pothuajse të gjithë shefat e grupeve parlamentare u pajtuan për ndërtimin e një shkolle. Ka mbetur me u sqarua vetëm pjesa teknike: si t’ia kompensojmë ne atë pjesë investitorit. Do të thotë investitori e ofron parcelën dhe ne tash duhet t’ia kompensojmë atë sipërfaqe. Ka mbetur pjesa teknike me Drejtorinë e Urbanizmit, brenda këtyre ditëve t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë se si t’ia bëjmë kompensimin e asaj pjese”, ka sqaruar Shabani.
Drejtori për Arsim thotë se në mbledhjen e ardhshme do të jetë si pikë e rendit të ditës dhe do të dalin me propozime konkrete.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)