Arbëri

Komuna e Obiliqit ndau bursa për 58 nxënës dhe 124 studentë, vitin tjetër ndërtohet biblioteka

Komuna e Obiliqit sot ka ndarë 58 bursa për nxënësit dhe 124 bursa për studentët e kësaj komune, po ashtu janë ndarë edhe 380 karta mujore të udhëtimit për nxënësit.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, derisa ka treguar shifrën e përfituesve të bursave, u shpreh se në proces janë edhe bursat për studimet post-diplomike.

Përveç bursave i pari i Obiliqit pati edhe një lajm tjetër të mirë për nxënësit dhe studentët e Obiliqit pasi, sipas tij, vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i bibliotekës së qytetit. Sipas tij ky projekt, vlera e të cilit kap shifrën rreth 400 mijë euro, do jetë i disponueshëm për studentë, fëmijë e të moshuar.

“Investitor do të jetë komuna e Obiliqit dhe projekti do të kushtojë rreth 400 mijë euro. Ndërtesa do të jetë në dy kate”, ka treguar Gashi.

Gjatë kësaj ceremonie u nda edhe bursa “Adem Preniqi”, të cilën e fitoi studenti Fisnik Krasniqi.