Arbëri

Ish-ushtari i UÇPMB-së, Arifi, e akuzon ish-komandantin e tij, Musliu, për sulm ndaj tij

Një shpërthim i fuqishëm ka përfshirë mbrëmjen e se martës lagjen Kuvc të Gjilanit.

Dy granata dore u hodhën në oborrin e shtëpisë së Jeton Arifit, një natë më parë, raporton KTV.

Ndonëse nuk pati të lënduar nga ky shpërthim, një veturë u shkatërrua derisa u dëmtua tarraca e shtëpisë.

Arifi e akuzon ish-komandantin e tij në UÇPMB, Shefket Musliu, për këtë sulm.

E gjithë kjo, sipas Arifit, vjen pas një konflikti që të dy e kishin pasur vite më parë.

Si shkak i këtij shpërthimi, copa të këtyre granateve kanë rënë edhe në oborret e fqinjëve përreth. Derisa fqinjët të tronditur nga ky shpërthim nuk kanë dashur të flasin.

Por, për Policinë, ende mbesin të panjohur personat të cilët i hodhën këto granata, derisa thonë se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japin më shumë informata.

KTV-ja ka qëndruar edhe në shtëpinë e ish-komandantit të UÇPMB-së, Shefket Musliu, por djali i tij ka thënë se babai nuk gjendet në shtëpi.

Ndonëse nuk ka pranuar të flasë para kamerës, ai ka mohuar që babai i tij të jetë i përfshirë në këtë akt.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këtë shpërthim, të cilin e ka cilësuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Derisa ka thënë se po punon intensivisht në gjetjen e kryerësve të këtij akti.