Arbëri

Zyra e pensioneve në Lipjan mbyllet shkaku i pushimit vjetor të stafit

Zyrat e Departamentit të Pensioneve në qytetin e Lipjanit janë mbyllur pasi që punonjësit e saj kanë marrë pushimin vjetor deri më 30 tetor të këtij viti. Këto zyra funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Rreth kësaj çështjeje kanë reaguar pensionistët, të cilët gjatë këtyre ditëve kanë pasur terminë për nënshkrim të vazhdimit të pensioneve.

Po ashtu të mërkurën ka reaguar edhe OJQ “YAHR”, që monitoron institucionet publike në Lipjan. Në anën tjetër, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se zyra e pensioneve në Lipjan është mbyllur pasi që zyrtari kryesor i saj ka shkuar për pushime vjetore për një periudhë të caktuar, ndërkohë Ministria nuk ka pasur personel të tillë për zëvendësim, shkruan sot Koha Ditore.

Në hyrje të zyrave pensionale në Lipjan është vendosur vetëm një mbishkrim. “Jemi në pushim vjetor deri më 30-10-2019. Për çdo dorëzim-lajmërim të dokumenteve mund të shkoni në Prishtinë”, thuhet në mbishkrimin e Departamentit të Pensioneve në Lipjan.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)