Komuna e Gjilanit është tërhequr nga projekti për ndërtimin e nënkalimit, i cili do të shërbente për lidhjen e Spitalit Regjional të Gjilanit me Qendrën e re të Mjekësisë Familjare. Komunarët arsyetohen se vendimi për mosndërtimin e nënkalimit ka ardhur, ngase është bërë një zgjidhje alternative me hapjen e një rruge të re tek Spitali Regjional.
Mirëpo për Komunën nuk është projekti i parë i cili po ndryshohet, ngase edhe projekti i zgjerimit të rrugës me katër korsi ishte paraparë që të përfshinte qendrën e qytetit, mirëpo ekzekutivi i Komunës më vonë e kishte parë si të arsyeshme që projekti i zgjerimit të përfundonte afër stacionit të autobusëve. Edhe parkingu nëntokësor nuk do të realizohet, ngase Komuna ka plane të tjera për parcelën, shkruan sot Koha Ditore.
Opozita në Komunën e Gjilanit vlerëson se Komuna ka një paqëndrueshmëri sa i përket zhvillimit urban dhe se ata janë të vëmendshëm në raport me punët e Komunës, ngase, sipas tyre, projektet e Komunës ndryshohen shpejt. Vlerësojnë se Komuna është duke treguar se ka një planifikim të dobët në zhvillimin e qytetit dhe se ekspertët të cilët janë të angazhuar për zhvillim nuk janë në krye të detyrës.
(Artikullin e plotë mund ta lexoi sot në “Koha Ditore”)