Arbëri

11 OJQ-të kërkojnë hetimin e intervenimit të policisë ndaj protestuesve në Biti

Descriptive Text

Banorët e Bitisë së Poshtme, të mërkurën, e kanë vazhduar protestën kundër ndërtimit të hidrocentralit, pavarësisht ndërhyrjes së dhunshme ndaj tyre nga policia një ditë më parë. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe se në protestë lëndime kanë pësuar edhe fëmijët.

Mbështetje protestës së tyre i kanë dhënë 11 organizata joqeveritare, të cilat nëpërmjet një reagimi kanë kërkuar hetime për intervenimin e policisë ndaj protestuesve, shkruan sot Koha Ditore.

“U bëjmë thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që menjëherë të fillojnë procedurat hetimore kundër zinxhirit komandues dhe urdhërdhënësve për përdorimin e forcës së tepruar mbi fëmijët dhe qytetarët e Bitisë së Poshtme. Po ashtu ftojmë Prokurorin e Shtetit që të fillojnë me hetimin e të gjithë projektit për ndërtimin e hidrocentralit në fjalë, por dhe hidrocentraleve të tjera në këtë lumë”, thuhet në reagimin e organizatave: ÇOHU, “Demokracia Plus”, “Ec Ma Ndryshe”, ERA, “Gjethi”, Iniciativa për Progres (INPO), Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti RIINVEST, Lëvizja FOL dhe Rrjeti i Grave të Kosovës

Por banorët të mërkurën sërish kanë protestuar. Hamdi Rushiti ka thënë se policia përdori sprej edhe ndaj fëmijëve. "Ka mujt me rrëshqitë një prej fëmijëve, po asgjë nuk ka qenë ajo edhe jemi mundu me i mbrojtë fëmijët e gratë, kur jemi kthy e kemi pa prapa neve krejt janë kanë të shtrimë, njërin me karrocë e kemi dërgu, kemi njerëz me trauma", ka thënë Rushiti. Madje, sipas tij, fëmijët nuk e kanë ndjekur mësimin, sepse ‘janë të traumatizuar’.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)