Arbëri

Renovimi vonoi për dy javë nisjen e mësimit në shkollën “Bajram Curri” në Dubravë të Istogut

Me rreth dy javë vonesë ka filluar procesi mësimor në shkollën “Bajram Curri” në fshatin Dubravë të Istogut.

Kjo për shkak se Komuna kishte vendosur ta bëjë renovimin e objektit këtë vit dhe kompania e kontraktuar nuk i kishte përfunduar punimet me kohë, raporton KTV.

Ndonëse nuk kanë dashur të flasin para kamerës, prindërit kanë thënë se janë mësuar me vonesa të tilla në Kosovë dhe nuk kanë mbetur të habitur kur është shtyrë procesi mësimor.

Përgjegjësi i kësaj shkolle Shefqet Kabashi thotë se pavarësisht vështirësive që nxënësit mund të kenë, do të mundohen t’i kompensojnë orët e humbura.

E, në Komunën e Istogut thonë se vonesat kanë ardhur shkaku se punimet nuk janë kryer në kohë dhe se orët e humbura do të kompensohen.

Hajrush Shoshi- Drejtor i Arsimit, Istog, ka treguar se punimet nuk kanë përfunduar ende dhe se kompania mund të gjobitet shkaku i vonesave.

I gjithë renovimi i objektit të shkollës fillore në Dubravë i ka kushtuar buxhetit të Komunës 13 mijë e 700 euro.