Elezi i Hanit Foto: Alban Bujari / KD

Elezi i Hanit

Rexhep Maloku Rexhep Maloku 22 September 2019 11:20

Muhabeti vlon nëpër çajtore kur miq e qytetarë përplasen për historinë e Hanit të Elezit. Dikush, pasi çon një gllënjkë të nxehtë çaji, ngulmon se Hani e bëri të njohur Elez “rrogëtarin”. I dyti në tavolinë nuk pajtohet.

Hidhet i treti prej tavolinës matanë me pretendimin se Elezi ishte pronari i bujtinës së parë të rrethinës, shkruan sot Koha Ditore.

Askush nuk ka dëshmi të çfarëdollojshme, të shkruara për themeluesin e Hanit të Elezit. Pakkush pranon të flasë publikisht për historinë e qendrës administrative të rrethinës me rreth nëntë mijë e pesëqind banorë.

Në historikun zyrtar të Komunës thuhet se vendbanimi e mori emrin Hani i Elezit në shekullin nëntëmbëdhjetë sipas Elez Dimcës, “i cili kishte ndërtuar një han”.

Atëherë, në rrethinën nën sundimin e Perandorisë Osmane në shembje – që i doli nami i zi edhe si “i sëmuri i Bosforit” – kishte rrezik të udhëtoje ose të transportoje mallra gjatë natës nëpërmjet Grykës së Kaçanikut.

“Rrjedhimisht, Hani ofroi një vend për njerëzit që të qëndronin për një natë”, shkruan në historikun e uebfaqes së Hanit të Elezit, që shtrihet në luginën e Lepencit ndërmjet Bjeshkëve të Sharrit në perëndim dhe Bjeshkëve të Karadakut në lindje. Dhjetë fshatrat shtrihen faqeve të bjeshkëve e nëpër rrafshnaltat në dy anët e qytezës jugore.

“Fshatrat janë përmendur edhe në arkivat osmane më 1452, 1455, 1468, 1544, 1568, 1893, 1896 dhe 1900. Ekziston edhe një hartë austriake nga viti 1689 që i referohet Hanit të Elezit dhe fshatrave të tij“, thuhet aty, duke vënë theksin te fakti se Hani i Elezit nuk ishte regjistruar si vendbanim i populluar nga administrata në vitin 1914, për shkak se “ishte i njohur vetëm si një vend ku njerëzit janë ndalur për ushqim dhe pushim duke udhëtuar në veri ose jug”.

Deri më 1920, Hani i Elezit kishte vetëm stacionin e trenit, një bakallhane dhe një han, bëhet e ditur në vjegëzën e uebfaqes zyrtare të Komunës. “Rreth kësaj kohe familjet shqiptare nga fshatrat përreth kanë filluar të vendosen në Han të Elezit”, shkruan më tej.

Zhdukja e Hanit prej të cilit u bë një qytet

Katërmbëdhjetë vjet i kishte Ramadan Imeri kur familja e tij nga Kabashi i Prizrenit do të blinte pronën ku ende mbahej në këmbë objekti i Hanit. Hasjani, pranë tezxhahut, këmbëngul se Hani po shërbente si depo mallrash kur Imerët e blenë prej Demir Dacit, megjithëse nuk ishin të sigurt nëse do të kishin punë.

“Baba kish pasë thanë se Hanin po e blen, por xhinja po ikin në Turki. Koha e Rankoviqit”, kujton Imeri, duke iu referuar dëbimeve masive të shqiptarëve në Turqi për shkak të represionit të ministrit të atëhershëm të Brendshëm të Jugosllavisë, famëkeqit Aleksandar Rankoviq.

Imeri plak i ka “çuar” duart prej brumit, por pasardhësit vazhdojnë të gatuajnë. Emri “Drini i Bardhë” – shkruar me të verdhë – lidhet me jetën fëmijërore në Anadrin....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme