Arbëri

IKSHP: Dyshohet se uji i kontaminuar në Rahovec ndodh për shkak të kyçjeve ilegale të qytetarëve me puset e ujitjes

Foto: KRU Gjakova

Pas marrjes së informatës për dyshimin për kontaminimin e ujit në një pjesë të ujësjellësit të Komunës së Rahovecit, të menaxhuar nga KRU “Radoniqi” Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se ka dalë në terren.

Përmes një njoftimi për media, thotë se përveç kontrollit të rregullt dhe monitorimit të ujit për pije, sot dalë në terren dhe ka marrë menjëherë mostrat e ujit të cilat po analizohen në laboratoret e IKSHPK.

“Sapo të kemi rezultatet e para do të njoftojmë opinionin me kohë”, thuhet në njoftim.

Sipas hulumtimeve të para rezulton se uji është kontaminuar për shkak të kyçjeve ilegale të qytetarëve me puset e ujitjes.

“Apelojmë që kjo paraqet rrezik të madh për shpërthim hidrik me përmasa të paparashikuara në dëmtimin e shëndetit të qytetarëve. Në pritje të analizave dhe gjendjes aktuale, Instituti Kombëtar rekomandon: 1. KRU “Radoniqi” të sa më shpejtë të normalizojë prodhimin e ujit në komunën e Rahovecit dhe të vazhdojë kontrollin e ujit të pijes në tërë territorin e Gjakovës dhe të përforcojë kontrollin. 2. Kompania duhet rregullisht të dezinfektojë ujin, ta ngritë vigjilencën dhe mbrojtjen për siguri të resursit të ujit sipas Ligjeve dhe rregulloreve të MMPH. 3. Furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe përgaditje të ushqimit”, thuhet në njoftim.

IKSHPK thotë se do të vazhdojë me monitorimin e cilësisë së ujit për pije sipas kompetencave ligjore në fuqi me përgjegjësi të lartë profesionale duke ofruar mbështetje profesionale dhe bashkëpunim në vazhdimësi me KRU “Radoniqi”.

“Me këto rekomandime kemi parandaluar ndonjë shpërthim eventual hidrik me përmasa të pakontrolluara. Situata epidemiologjike dhe sanitacioni janë në kontroll të vazhduar nga ekipet kujdestare të Institutit Kombëtar dhe çdo ndryshim i situatës epidemiologjike do të pasojë me rekomandime të reja”, thuhet aty.