Kosovë

Viti i ri shkollor pa shujta për nxënësit e Prizrenit

Viti i ri shkollor pa shujta për nxënësit e Prizrenit

Viti i ri shkollor në Komunën e Prizrenit ka filluar pa ofrimin e shujtës ushqimore dhe qumështit falas për nxënësit deri në klasën e pestë. Aktiviteti i prokurimit për këtë furnizim nga organet komunale është anuluar në fund të muajit gusht. Në njoftimin përkatës është bërë e ditur se anulimi ka ndodhur me kërkesë të Drejtorisë Komunale të Arsimit.

“Drejtoria për Arsim dhe Shkencë ka parashtruar kërkesë për anulim të këtij aktiviteti, me arsyetimin se në përshkrimin teknik të produkteve të cilat do të përdoren për mbulimin e këtij aktiviteti janë përvjedhur gabime teknike në përshkrim dhe e bëjnë të pamundur realizimin e kontratës sipas këtyre specifikimeve”, shkruan në njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit, të publikuar më 26 gusht 2019 në platformën elektronike të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, shkruan sot Koha Ditore.