Mbi 300 banorë të fshatit Letnicë të Komunës së Vitisë përballen me mungesë të ujit të pijshëm dhe me sistem të kanalizimit.
Kryetari i fshatit, Shin Gjoni, ka thënë se prej tre vjetësh janë duke u përballur me mungesën e ujit të pijshëm. Ai ka përmendur edhe mosmenaxhimin e rrjetit ekzistues të ujësjellësit nga kompania e ujësjellësit “Hidromorava” apo nga Komuna. Kjo ka rritur ndjeshëm keqpërdorimin e ujit.
“’Hidromorava’ nuk e ka nën menaxhim rrjetin e ujësjellësit. Dhe ka lidhje ilegale dhe shpenzohet uji pa kontroll, ngase nuk i paguajnë faturat dhe këtë e bën edhe biznesi privat por edhe të tjerët, dhe kjo po ndikon që ne mos të kemi ujë të pijshëm. E kemi paraqitur këtë problem në këtë Komunë në vazhdimësi, mirëpo krejt çfarë ata deklarojnë është se CDI-ja e ka marrë përsipër me e rehabilitu. Tash kur ka qenë festa e ‘Zojave’ kemi pasur problem me ujin, ndërkaq kemi pasur 15 mijë vizitorë. Dhe ata mendonin se kam faj unë që nuk ka ujë. Vazhdimisht ne kërkojmë nga Komuna që të bëjë zgjidhje për këtë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Komuna duhet të investojë në ndërtimin e sistemit të kanalizimit dhe të mundësojë edhe ofrimin e shërbimeve të pastrimit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)