Arbëri

Gashi thotë se për ndërtimin e sheshit të Obiliqit do të rrënohen edhe objektet e vjetra

Descriptive Text

Punimet për ndërtimin e sheshit në Obiliq po vazhdojnë ende, ndonëse kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, pret që këtë vit të kryhen shumica e punimeve në këtë projekt.

Gashi ka mohuar për KosovaPress, të kenë telashe me shpronësime, teksa thotë që janë në proces të përmbylljes së shpronësimeve.

Projekti për ndërtimin e sheshit ishte nisur në tetor të vitit kaluar dhe pritet të përfundoj në shtator të vitit 2020.

“Jo aktualisht jemi në rregull. Kjo zonë është shpallur zonë me interes, të gjitha parcelat të cilat prekin këtë zonë kanë shkuar sipas proceduarave, një pjesë prej tyre janë te KEK-u, pastaj janë adresuar në komitetin ndërministror dhe së fundmi në qeveri. Ne presim që edhe kjo në të ardhmen të përmbyllet si proces”, deklaron Gashi.

Objekte që presin të rrënohen janë edhe objekte banesore. I pari i komunës së Obiliqit shprehet se të gjitha objektet e vjetra përreth sheshit do të rrënohen.

“Jo, aktualisht, po shihet edhe ky objekti këtu pranë është në proces të shpronësimit, është bërë vlerësimi i objektit për banorët nga Ministria e Financave përkatësisht nga drejtorati për vlerësim dhe shpresojmë që shumë shpejt edhe ky objekt do të rrënohet dhe do të hiqet nga kjo zonë e cila do të shndërrohet në shesh”, thotë ai.

Gashi bëri të ditur se projekti do të zhvillohet sipas planit, derisa tha se është investim i përbashkët me Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa komuna ka participuar me rreth 200 mijë euro, kurse ministria me 1 milionë euro.

“Sheshi planin dinamik e ka deri në vitin e ardhshëm në shtator, por ne shpresojmë që punët e mëdha sipas punëkryesit do të realizohen këtë vit”, deklaron Gashi.

Ndërsa, mësohet se edhe objekti i Postës afër policisë do të rrënohet për t’u shndërrua në shesh.

Ndryshe, me ligjin e ri për Obiliqin, kësaj zone i mundësohet përkrahja financiare për projekte të ndryshme. /KsP/