Shkollat e parapara që të mbyllen në kuadër të reformës në arsim në Komunën e Kamenicës, të martën kanë zhvilluar procesin mësimor. Asnjë orë grevë nuk është mbajtur ashtu siç ishte paralajmëruar.
Përfaqësues të SBASHK-ut kanë thënë se nuk kanë parë ndonjë pengesë të madhe nga ana e Komunës, që mësimi të mos mbahet në këto shkolla, raporton KTV.
E kjo i ka habitur e shqetësuar mësimdhënësit dhe ish-drejtuesit e këtyre shkollave, të cilët nuk pajtohen me arsyetimin e SBASHK-ut.
Nga Shoqata “Alumnist”, e cila e ka mbështetur Komunën në këtë reformë, thonë se ajo duhet të zbatohet pasi në të kundërtën, dëmi më i madh u shkaktohet fëmijëve.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës, për një edukim dhe arsimim të denjë, është i nevojshëm edhe bashkëpunimi ndërmjet nxënësve.
Reforma e nisur nga kryetari i kësaj Komune, e cila nuk është duke u respektuar tërësisht, parasheh të mbyllen shkollat, që kanë numër të vogël të nxënësve dhe të njëjtit të barten në shkolla të tjera me kapacitete më të mëdha.
Derisa për mësimdhënësit disa parashihet të risistemohen, ndërsa ata që mbesin pa punë, të paguhen me 70% të pagës.